Fitim Sopjanin e gëzon përkrahja nga presidenca: Kjo më jep kurajo të punojë më shumë

17 Shkurt, 2022 - 11:51 pm

Kosova është e mbushur me bukuri nga më të ndryshmet, e pikërisht këto pamje të jashtëzakonshme video kreatori Fitim Sopjani tenton që t’i përcjell nëpër rrjete sociale dhe të bëjë promovimin e Kosovës kudo që ai ndodhet, shkruan KultPlus.

Projekti i tij i fundit, me titull “Ski Center Brezovica”, që tenton të shfaq promovimin e njëra prej qendrave më të mira dhe më të njohura të skijimit në Ballkan, ka gjetur mbështetje nga Zyra e Presidencës, gjë që ka ndodhur për herë të parë.

Për këtë gjë, Sopjani në një prononcim për KultPlus tregon se është diçka të cilën e vlerëson shumë.

“Duke pasur parasysh që ka me vite të tëra që unë bëj promovimin e Kosovës, me mjete të mia vetanake, dhe pa asnjë interes, kjo përkrahje nga presidenca më ka gëzuar shumë”, ka thënë ai.

Kjo gjë madje do ta motivojë të riun që të punojë edhe më tepër në promovimin e vlerave të ndryshme të cilat Kosova ka në brendësi të saj.

“Kjo përkrahje më ka jep kurajo që unë të bëj projekte edhe më madhore për Kosovën”, shtoi ai tutje.

Këtë vit është marrë vendim që Kosova të marrë nën menaxhim Brezovicën, gjë që nuk ka ndodhur në 22 vitet e fundit. Më 13 janar të vitit 2022, Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpcë, në përbërje të gjashtë anëtarëve.

Më poshtë mund të shikoni edhe videon e publikuar nga Fitim Sopjani. /KultPlus.com

Të ngjajshme