26 Nëntor, 2019 - 11:45 am
Xhemile Hysenaj
Arti i Fitore Berishës, tashmë është i njohur si një art që përpiqet të shpalos emocionet më të fuqishme që burojnë nga brendësia e secilit prej nesh, shkruan KultPlus.
Arti i saj, siç ka treguar edhe vetë artistja, ka për qëllim të shpalos ndjenjat më të fuqishme që jetojnë në brendësinë e secilit, ato të pikëllimit, mallit, mërzisë, gëzimit e dëshpërimit.
Për t’i përcjellë këto ndjenja përsëri tek artdashësit, Fitore Berisha, kësaj radhe erdhi me ekspozitën e saj të radhës që mbante titullin ‘’Black in White’’, që në shqip do të thotë “E Zeza mbi të Bardhën”. Ekspozita kishte zënë një hapësirë të vogël e modeste në Tillt Radio, ku pikturat përpos se shkonin shumë mirë me hapësirën e Radios, dukej se ishin punuar pikërisht për muret e asaj hapësire.
“Më pëlqejnë shumë këto dy ngjyra, janë të sofistikuara. Këto punime nuk kanë vetëm ngjyrë të bardhë dhe të zezë, ideja është se ekziston një lojë ngjyrash në mes të këtyre dy kryesoreve”, potencoi ajo për KultPlus.
Fitore Berisha poashtu tregoi se fytyrat e pikturave të saj ishin shpesh edhe ajo, vetja e saj.
“Ajo jam edhe unë, aty gjenden edhe emocionet e ndjenjat e mia”, shprehet ajo më tutje.
Në punimet që vareshin në muret e ekspozitës, paraqiteshin përvojat jetësore të secilit individ, e sigurisht se secili mund të gjente veten aty. Paraqiteshin uljet e ngritjet që i përjetojmë gjatë jetës, mbështetja te njëri tjetri, dashuria, humbja, gëzimi e hidhërimi.
Ndërsa, Fitore Berisha, tashmë ka krijuar stilin e saj mjaft të veçantë, për të cilin shprehet se e ka pasur të vështirë të arrijë deri në gjetjen e tij. “Ka qenë një proces i vështirë derisa unë kam arritur të krijoj stilin tim, ka diçka që mua më flenë nga artistët e tjerë, por unë dua të jem unë jo ata. Dua të jem Fitorja’’, deklaroi ajo për KultPlus.
Qëllimi i artistes në fjalë, është që përmes pikturave të saj, të arrijë të gjejë atë që njerëzve iu pëlqen dhe iu flenë në brendësinë e tyre.
Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group (MAG) ku me ekipin e saj krijuan disa murale në qendër, poashtu projekte tjera të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet tjera.
Fitore Berisha në 2006 është shpërngulur në Islandë në kryeqytetin Reykjavik ku ajo jetoi 10 vite dhe krijimtaria e saj ka vazhduar në pikturë, teatër, vallëzim. Prej disa muajsh është kthyer në vendlindje dhe ka hapur një artstudio dhe vazhdon të merret me murale, grafiti, pikturë./ KultPlus.com