27 Janar, 2025 - 10:50 pm
Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimit të thellë dhe detajuar, kanë përzgjedhur veprën nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja të titulluar “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” (2023), fituese të çmimit për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili.
Raporti i Jurisë:
Të enjten, me 23 janar në prani të shumë dashamirësve të artit, artistëve pjesëmarrës e jurisë, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili të titulluar Ajo që ia thotë këngës…, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera. Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimi të thellë dhe detajuar, ka kënaqësinë të shpallë çmimin për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili (Galeria Kombëtare e Kosovës, 23 janar – 30 mars 2025, Prishtinë). Çmimi i ndahet veprës që është pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…”, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera.
Çmimi i ndahet veprës Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita (2023) nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së ekspozitës, duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mos përkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme. Duke kombinuar elemente dokumentare me performancën evokuese të subjekteve të saj, vepra tejkalon kufijtë tradicional, duke ofruar një narrativë të fuqishme të qëndresës dhe identitetit. Kërkimi i kujdesshëm dhe ekzekutimi kreativ i punës theksojnë një perspektivë të fuqishme feministe, duke ndërthurur historitë personale krahas një komentimi më të gjerë socio-politik. Procesi i përzgjedhjes filloi me vlerësimin e portfoliove dhe përshkrimeve të dorëzuara përmes thirrjes së hapur. Më pas, juria pati mundësinë të përjetojë veprat në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ky proces ishte veçanërisht sfidues për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të veprave të menduara, të bukura dhe unike që janë të paraqitura në ekspozitë.