6 Shtator, 2018 - 9:23 pm
Në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve është zhvilluar sot konferenca për shtyp mbi ekspozitën e Flaka Halitit “Këtu – apo atje, është më atje”. Kjo ekspozitë e parë personale e artistes në Shqipëri do të çelet nesër, datë 7 shtator në ora 19:00 në sallën e ekspozitave të përkohshme, dhe do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor 2018.
Folës gjatë konferencës ishin artistja Flaka Haliti, kuratorja Leonie Radine dhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli.
Erzen Shkololli falënderoi Leonie Radine që pranoi ftesën e tij dhe të Flakës për të kuruar këtë ekspozitë të parë të artistes në Shqipëri. Shkololli përmendi faktin që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Më pas fjalën e mori Leonie e cila foli më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë. Kjo ekspozitë që do të prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale.
Leonie thotë: Titulli “Këtu – apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?
Më pas, artistja Flaka Haliti falënderoi përzemërsisht Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që bënë të mundur realizimin e ekspozitës së saj të parë në Tiranë. Në fund, ajo zgjodhi të bënte një tur në ekspozitë për të pranishmit për të shpjeguar më shumë mbi veprat e saj, si edhe për narrativën e gjithë prezantimit.
Jeni të ftuar nesër, datë 7 shtator, ora 19:00 për të marr pjesë në çeljen e ekspozitës së parë personale të Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare te Arteve.
Biografi e shkurtër
Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë, Kosovë dhe jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare. /KultPlus.com
Foto: Gerta Xhaferaj