“Flatrat e n’Grira” nga Hazir Reka vjen më 28 nëntor në Ferizaj

24 Nëntor, 2024 - 2:30 pm

Shkrimtari Halil Matoshi ka bërë të ditur se do të hapet ekspozita e fotografit Hazir Reka, “Flatrat e n’Grira” më 28 nëntor në Ferizaj.

Ekspozita do të hapet duke filluar nga ora 18:00 në shkollën e arteve “Çesk Zadeja”.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Shteti është brend, kurse flamuri fotografi – ikonë e tij.
Maestro Reka nuk na flet për flijimet e shqiptarëve për me mbrojtë lirinë dhe kriju shtetin e tyne, por ai e ndalë kohën mes dy rrehjeve të flatrave të shkabës dykrenshe, e na në atë interval kohe e shohim dhunën, dekën, lotët, zinë.
Aty (n)grihet gjaku.
Aty në vlimin e flamurit na i fshehim emocionet tona.
Frikat tona rrinë mes rrehjeve të flatrave.
Tregimi i Hazir Rekës me flamurin e shqiptarëve âsht të folunit e tyne pa zâ, me dritëhije, si reflektim i mësymjeve, dhimbjes dhe trishtimit.
Por edhe triumfit. Gëzimit.
Në liri.
E kam shkru ma moti për fotografinë e Rekës se në tablotë e tina ajri bâhet i dokshëm – si flamur, flakët na shfaqen ma t’ bukura si pemët, terri na difton se mas tina mëshehet drita.
Dhe drita arriti në fund.
Flamurin ia pason luftari i ramë atina që âsht mas, ai nuk guxon me ra!
Flamuri mbulon dëshmorët si dëshirat, ai e mlon zjarrin e lirisë, me e majtë të gjallë!
Shihni tablotë e Rekës se çfarë sakrificash kanë bâ “zojt e shqiptarëve” – pellgje gjaku – me e majtë nalt e pastër shkabën e tyne të zezë.
Bijt e shqipes.
Pamjet me flamur janë kohnat e shqiptarëve t’fotografueme, janë gjyshat dhe breznitë e humbuna, janë ândrrat!
A fotografohet koha?
Reka na e bân t’dokshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme