30 Prill, 2019 - 5:30 pm
Fluks vizitorësh në prag të sezonit turistik, në ambientet e muzeut Ikonografik Onufri dhe Etnografik, Berat. Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve do të jetë më i lartë për vitin 2019 krahasuar me sezonin turistik të një viti më parë.
Turistët e huaj kanë zgjedhur të vizitojnë këto muze. Edhe në pranverë, Berati mbetet destinacion turistik, ashtu sikundër në stinët e tjera. Muzetë e qytetit gjatë 3 mujorit të parë të 2019 kanë mirëpritur rreth 4 mijë vizitorë vendas dhe të huaj duke e bërë këtë vend si një ndër më të preferuarit e qytetit të Beratit.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII.
Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri.
Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. /ata