18 Gusht, 2022 - 12:30 pm
“Një foto e rrallë e Kel Marubit bashkë me të shoqen” ishte fotoja që përzgjodhi sot, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në kuadër të “Muajit të Fotografisë”. Fotoja mban diçiturën “Kel Marubi me grue në studio” dhe është shkrepur në studion e tij.
Që fëmijë, Mikel Kodheli, me emrin e artit Kel Marubi, punoi si ndihmës në studion e Pietro Marubbi-t bashkë me vëllanë e madh Matinë. Ashtu si i vëllai rreth vitit 1885 edhe ky dërgohet nga mjeshtri për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proçeset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t. Mbas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgon studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mban edhe mbiemrin e tij.
Që në rini, ai përfshihet në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke për propagandë patriotike. Më 1908 në shtëpinë e tij themelohet klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”. Më 1913, flamuri i pavarësisë në Bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina. Studioja e tij shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 emërohet fotograf zyrtar i mbretit Zog I.
Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme. Vdiq në vitin 1940. /atsh / KultPlus.com