Fotografi me famë botërore dhe Prizreni i vitit 1965

28 Korrik, 2019 - 3:25 pm

Në vitin 1958, revista “Popular Photography” përpilon listën e 10 fotografëve kryesorë aktivë të kohës. Në listë ishte shqiptari Gjon Mili dhe Henri Cartier-Bresson (1908-2004), shkruan Telegrafi.

Cartier-Bresson fillimisht kishte studiuar pikturën, në klasën e të famshmit Andre Lhote. Si student shoqërohet me artisten dhe muzën më të madhe të Pablo Picassos, Dora Maar, të cilën ai e këshillon të merret me fotografi. Në fakt, as ai nuk do të merret gjatë me pikturën. Siç do të thotë në një intervistë të vitit 1957, për “Washington Post”: “Fotografia nuk është si piktura. Ka një fraksion kreativ prej sekonde kur e shkrep fotografinë. Sytë duhet ta shohin kompozicionin ose të shprehurit që vet jeta ta ofron, dhe ti duhet të dish me intuitë kur ta shtypësh sustën. Ky është momenti kur fotografi është kreativ. Momenti. Nëse e huq, iku përgjithmonë”. Ky citat dhe stili i tij përcaktojnë atë që quhet “Momenti vendimtar” e që, sipas ditores “New York Times”, e ka modeluar fotografinë moderne.

Emri i tij ndërlidhet edhe me një ndërmarrje të madhe: në vitin 1947, ai, Robert Capa, David Seymour, William Vandivert dhe George Rodger themelojnë agjencinë prestigjioze, Magnum Photos. Ndërsa, ishte bashkëshorti i artistes Martine Franck (që ka qenë asistente e Gjon Milit), që po si ai konsiderohet si një nga emrat kryesorë të fotografisë së shekullit XX.

Në vitin 1965, Cartier-Bresson e vizitoi ish-Jugosllavinë. Ndër shumë qytete të shtetit të dikurshëm, qëndroi edhe në dy të Kosovës – në Pejë dhe në Prizren. Teksa nga Peja janë të njohura shtatë fotografi (shih tekstin e Telegrafit, në linkun më lartë), nga Prizreni është e njohur vetëm një (e postuar në fund të shkrimit).

Cartier-Bresson ka hapur dhjetëra ekspozita; është autor i shumë librave; fitues i shumë çmimeve prestigjioze… ndërsa karriera e tij shtrihet edhe në film. Nga fotot e famshme të tij është edhe një që ia ka bërë Gjon Milit më 1958. /Telegrafi/

Të ngjajshme