14 Nëntor, 2021 - 7:00 pm
Në datën 16 nëntor fotografja durrsake Eriselda Xhaferri do të performojë në Romë në ekspozitën e artit kolektiv “Zëri i shpirtit”, që do të mbahet në Via del Corso 528 në ora 17.00.
Organizuar nga shoqata socio-kulturore “Bota blu”, që ka presidente operatoren sociale Mihaela Mitrut dhe që është e specializuar në promovimin e artistëve të huaj që jetojnë në Itali, ekspozita do të zgjasë tre ditë, duke përfshirë – veç fotografisë – edhe vizatimin e pikturën.
Xhaferri e përshkruan kështu Unin e saj bioprofesional: “Kam ardhur në Itali në 2001-shin. Kam nisur të fotografoj prej pasionit, më pasionon përpjekja për kapjen e shpirtit, grimcat e ndryshme përmes fytyrave, objekteve e gjithçkaje që rrethon mjedisin përreth e brenda qenies njerëzore”.
Aktivizuar në evente artistike shqiptare e shumëetnike në Itali, pjesë e grupit shqiptar në Ekspozitën universale Milano 2015, aktiviste shoqatash, Eriselda vendos në qendër të fotove të saj gruan që kërkon të mbajë të paprekur vokacionin e vet gjinor brenda një shoqërie që përpiqet ta kapë në rrjetën e prototipit të asaj që duhet të kënaqë kohën e të tjerëve.
Së fundmi ka marrë pjesë në mostrat në Galerinë Arca di Noesis e Sguardo di donna (“Vështrim gruaje”) – ku u rendit mes finalistëve me foton “Pritja” -, mbajtur në Romë.
Themeluar në 2015, “Bota blu” organizon shpesh evente për të promovuar kulturën e traditat e të huajve në Itali. Merr pjesë në konkurset për thithjen e fondeve në kuadrin e organizimit të shfaqjeve e formimit të rinjve, duke bashkëpunuar me ente publike e private. Presidentja Mitrut është zgjedhur në 2019 si drejtuese e Qendrës Dëgjimore bashkiake romane dhe bashkërendon konsultën për të huajt në Minibashkinë VII.
“Bota blu” vepron edhe kundër dhunës dhe mbron të drejtat e punëtorëve. / KultPlus.com