20 Prill, 2023 - 2:55 pm
Një fotografi e një gruaje shtatzënë duke u shpëtuar nga një maternitet i shkatërruar në qytetin ukrainas të Mariupolit ka fituar konkursin e njohur ndërkombëtar ”World Press Photo”.
”Fotografi ukrainas Evgeniy Maloletka është vlerësuar me çmimin e parë për foton”, njoftoi sot juria në Amsterdam.
Fotoja e realizuar më 9 mars 2022 për agjencinë e lajmeve AP, tronditi njerëzit në mbarë botën.
Ajo tregon një grua të plagosur dhe shtatzënë të rëndë duke u transportuar me barelë nga një maternitet i bombarduar.
Gruaja dhe foshnja e saj nuk patën fatin të jetonin
”Kjo fotografi kapi vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës”, tha presidenti i jurisë, Brent Lewis.
“Vdekja e gruas shtatzënë dhe e fëmijës përfshin një pjesë të madhe të kësaj lufte dhe qëllimin e mundshëm të Rusisë”, theksoi Lewis.
“Është sikur po përpiqen të vrasin të ardhmen e Ukrainës”, theksoi një anëtar i jurisë.
Sipas jurisë, fituesit e konkursit të këtij viti përfaqësojnë temat më të rëndësishme të vitit 2022.
Fituesit u përzgjodhën nga rreth 60 000 foto në kategori të ndryshme./ atsh / KultPlus.com