“Fryma e dashurisë” ekspozitë me dedikim për Nënë Terezën

8 Gusht, 2024 - 9:00 pm

Më 26 gusht do të hapet ekspozita “Fryma e Dashurisë,” që do të mbahet në “Sheshin Nëna Tereza” në Prishtinë.

“Kjo ngjarje, e organizuar nga “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë,” është një homazh i përzemërt për humanisten dhe shenjtoren Nënë Tereza, e cila i kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj të varfërve dhe të nevojtarëve”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

“Në këtë ekspozitë, artistët do të sjellin në jetë frymëzimin dhe dedikimin e Nënë Terezës përmes veprave të tyre artistike. Pikturat e ekspozuara do të pasqyrojnë mesazhin e dashurisë, mirësisë dhe ndihmës që ajo përçonte, duke na kujtuar rëndësinë e përhapjes së dashurisë dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit. Nënë Tereza, me jetën dhe veprën e saj, mbetet një simbol i përkushtimit dhe altruizmit. Kjo ekspozitë, e cila mbahet në sheshin që mban emrin e saj, është një mënyrë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e saj të paharrueshme. Kjo është një mundësi unike për të reflektuar mbi vlerat që ajo përfaqësonte dhe për të nxitur ndjenjën e solidaritetit dhe humanizmit në shoqërinë tonë” thuhet në këtë njoftim./ KultPlus.com

Të ngjajshme