23 Janar, 2018 - 10:08 pm
Gili Hoxhaj
“Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen, “Goia s’qet kend në giak”. “Fiala mort sbân”. Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”. Fjala e gojës s’ême hîn në vesh të tjetrit, e i treti e perdoron per rrênim të kuej, un rri e tallem. A fola a s’fola, goja nuk vûlosë gjâ. Fjalët e sterkqive kanûja s’i mêrr para sysh. Mikut do t’i bahet nderë. “Mikut i lshohet kryet e vendit”, janë këto fjalët e Kanunit që vijnë përmes dy personazheve të veshura në veshje kombëtare e që jetësojnë instalacionin e ekspozitës “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.
“Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”, janë fjalët e gruas së veshur në veshje kombëtare në shtëpinë prej gardhi.
Në mënyrë shumëdimensionale, artisti Mentor Berisha kishte punuar për një vit për ta sjellë këtë ekspozitë në këtë format të tillë. Çdo gjë erdhi e ekspozuar nën dritë e zbehtë në të gjelbër, e vizitorët e Galerisë së Ministrisë së Kulturës silleshin rreth gardhit të ndërtuar që ishte bërë shtëpi për dy personazhe, një burrë dhe një grua qëndronin të ndarë nga krejt ata që i rrethonin.
Ky gardh ishte si një galeri e ndërtuar nga artisti, pasi brenda mbante edhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, parzmore e shpata, me kafkat e heronjve nga koha e lavdishme. Përmes telave pikturat ishin shtrënguar fort në degët e këtij gardhi, në të cilat ishin ngrirë figurat e burrave dhe grave me veshje tradicionale. Ky gardh kishte zhvendosur vëmendjen e rëndomtë të shikuesve nga muri i kësaj galerie, në të cilën rëndom ekspozohen punët e artistëve.
Kuratori i kësaj ekspozite, profesori Fadil Hysaj, shprehet se artisti Mentor Berisha edhe pse i përket brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës, ai kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Ai tregon për KultPlus se bashkëpunimi i tyre ka ardhur nga Festivali “EtnoFest”.
“Figura e gardhit krijon një frymëmarrje, një korrelacion mes njerëzve dhe një lloj kufiri të cilin ne shpesh dëshirojmë ta kalojmë duke i hyrë tjetrit në jetë. Pra gardhi si gardhi në një hapësirë ngulfatëse, ka një frymëmarrje, krijon disa kufij por që nuk janë kufij definitiv”, u shpreh Hysaj.
Ai tutje tha se ky lloj koncepti në një mënyrë e sfidon qytetarinë primitive dhe sjellë një vlerë arkitekturore nga e kaluara e hershme dhe madje ai tha se simbolet dhe gardhi vijnë pa asnjë ndjenjë të turpit dhe gardhi karshi murit ndihet më superior.
“Zhdukja e gjërave tona me vlerë, zhduk edhe diçka brenda nesh, ne nuk kemi të drejtë të sillemi ndaj traditës tonë në mënyrë gjenocidale, duke e keqtrajtuar apo mohuar në emër të diçkaje të re”, është shprehur Hysaj për KultPlus duke shtuar se kjo ekspozitë dëshmon se e reja më të vjetrën komunikojnë mjaft mirë. Artisti Mentor Berisha tha se kjo ekspozitë kishte qenë pjesë e EtnoFestit të 2016-ës, ndërsa më tutje është zhvilluar për të ardhur në këtë format, me një qëllim kryesor, për t’i ikur ekspozimit në muret e Galerisë.
“Me zhvillimin e idesë i kam inkorporuar edhe pjesët e instalacionit dhe në këtë rast gardhin që shërben edhe si dhomë dhe shtëpi e aktorëve, por njëkohësisht u jep frymë pikturave dhe skulpturave të ekspozuara”, tha artisti Berisha për KultPlus.
Vrimat e gardhit kishin një hapësirë që të mundësonte të shihje pak nga pamja e personazheve, të cilët lëviznin në ndërveprim me citate kanunore për gojët e hallkut, kështu duke thumbuar kureshtjen e rëndomtë prapa dyerve të shtëpisë. Me vendosmëri të plotë ata hedhin shikimin tek ata që i rrethojnë për të konfirmuar kureshtjen e çdo njërit. E gjithë kjo performancë vjen nga aktorët Rajmonda Ahmetaj dhe Afrim Muçaj.
Ata shfaqen në çdo moment e më të zhveshur, duke u larguar kështu me një valixhe të vetme, e dukë lënë pas fjalët “Mikut i lëshojet kryet e vendit”, për tu lënë kështu hapësirën të gjithë vizitorëve që të shijojnë përkrenaren e Skënderbeut që gjendet në qendër të këtij gardhi. Për ta sjellë këtë ekspozitë në një format multidimensional, e për të përfshirë shumë qasje artistike, piktori Berisha thotë se në këtë ekspozitë i ka shkrirë të gjitha përvojat e tij qoftë ato në skenografi teatrale, në filma, si regjisor i shfaqjeve për fëmijë, e përvojat e tjera në pikturë e ekspozita. “Pjesa e performancës mendoj se e ka begatuar pjesën tjetër të ekspozitës, më vonë me zhvillimin e idesë kemi menduar që edhe gardhin mos ta lëmë statik, ku kemi futur edhe elemente shtesë që i japin një dinamikë atij”, tha artisti Berisha.
Ai krejt në fund tha se planet e tij janë që këtë ekspozitë ta zhvendosë edhe në hapësira të tjera më të gjera, duke shtuar se shpreson në jetëgjatësinë e ekspozitës ashtu siç është me instalacion e elemente të tjera. / KultPlus.com