Frymëzuar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit hapet ekspozita “Mos”, sfidon rendet patriarkale në shoqëri

12 Dhjetor, 2019 - 11:00 am

Qendrim Badalli

“Çika e nanës, amanet për s’gjalli, runa ftyrën, nderin e derën”, ishte një pjesë që ishte shkruar në njërën nga punimet në ekspozitën “Mos” nga Ardhmerie Bregovina dhe Nora Potera dhe me kuratore Blerta Hoçia, ekspozitë kjo që është hapur dje në Galerinë e Arteve në Prishtinë dhe që ka për synim sfidimin e normave patriarkale në vendin tonë, shkruan KultPlus.com

Të rijnë të shumtë që kishin mbushur hapësirën e galerisë formuan një rreth para të cilit dolën dy autoret e kësaj ekspozite, të cilat nën fotografitë dhe duartrokitjet e vazhdueshme të të pranishmëve, me shumë emocione shprehën falënderimet për ata që kanë kontribuar për këtë organizim si dhe qëllimin e kësaj ekspozite.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Ardhmerie Bregovina, fillimisht ka folur për tematikat që trajton kjo ekspozitë.

“Mos” vjen si revoltë nga femrat për femrat, faktikisht kjo ka nisë si frymëzim nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kemi trajtuar vepra të ndryshme, kemi trajtuar këngë që iu këndohen çikave në ditët e dasmës, kemi trajtuar atë piramidën e famshme, mashkulli lartë kurse femra poshtë, gjithashtu kemi trajtuar edhe pjesën e traumave të femrave nga këto tema”.

Tutje, Bregovina ka thënë se objektivi i kësaj ekspozite është që të lënë gjurmë në këtë shoqëri por se duhet pritur për rezultatet.

“Pikënisja dhe synimi jonë është që të kemi impakt në shoqëri përmes kësaj ekspozite, tash na duhet të presim çfarë po rezulton”.

Në një intervistë për KultPlus, Nora Potera, ka bërë një falënderim për të gjithë ata që i kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Kisha dashur ta bëj një falënderim për organizatën CEL sepse e gjitha kjo ekspozitë vjen në fakt si rrjedhojë e mbështetjes nga kjo organizatë dhe po ashtu i jemi falënderues edhe të gjithë të tjerëve që na kanë ndihmuar, dhe siç thuhet tek ne “ju kthefshim për të mirë”.

Edhe Potera ka thënë se shtylla kryesore e ekspozitës ka qenë pozita e grave dhe vajzave në vend.

“Bazamenti i ekspozitës gjendet tek roli dhe pozita e grave dhe çikave në Kosovë. Kemi marrë disa elemente të ndryshme të kulturës tonë, duke filluar nga Kanuni dhe këngët popullore dhe të disa gjërave tjera që përbëjnë kulturën tonë. Jemi munduar që me pak punë me fol shumë”.

Ekspozita që është hapur dje do të jetë e hapur për publikun deri më 15 dhjetor. / KultPlus.com

Të ngjajshme