30 Maj, 2018 - 1:20 pm
Alberina Haxhijaj
Festivali FemArt po vazhdon të pushtojë Prishtinën me punët artistike të cilat po shpalosen në kuadër të edicionit të 6-të. Kështu gërshetimi i artistëve si Ilina Arsova Visual, Fjolla Ferati, Albulena Jashari, Shqipe Mehmeti, Florentina Pllana, Rozafa Shpuza , Fjolla Bislimi, Shpatina Fejzullahu, Anida Basha dhe Arbian Kahrimab, Anita Ramshaj, Šehida Miftari, Ardiana Shala -Prishtina , Vlora Kosumi, dhe Milica Milović- Kinolli, solli një ekspozitë kolektive të fuqishme, shkruan KultPlus.
Këta artistë, të njohur ndryshe edhe si artistë feminist, të paktën përmes punimeve të cilat i ekspozuan në ekspozitën “Arti Kolektiv Feminist” ngjallën mesazhe të fuqishme tek të pranishmit përmes punimeve të tyre e që në fokus kishin gratë.
Një thirrje përmes artit që jeta ju takon vet grave dhe ato udhëheqin.
Pikërisht shpalosja e misionit të festivalit përmes artit vizual dhe numri i madh i aplikimeve në këtë fushë e ka lumturuar drejtoreshën festivalit, Zana Hoxha Krasniqi.
“Sivjet në FemArt kemi pasur një numër jashtëzakonisht të madh të aplikimeve të artiste të artit vizual, një numër ky i aplikimeve më i madh se në të gjitha fushat tjera. Kjo që po shihni sonte është një ekspozitë e cila vjen nga kuratoret si ekspozitë e punimeve të artistëve të cilat janë përputhur më së miri më temën e sivjetshëm të FemArt-it, me identitetin e saj”, u shpreh ajo.
Ekspozita është kuruar nga Majlinda Shefkiu dhe Stefana Stojilković.
Për KultPlus Stefana Stojilković, tha se kjo ekspozitë është munduar që të sjellë punime të cilat edhe pse të ndryshme ngërthen shumë bukur në një ekspozitë të vetme.
“Koncepti i ekspozitës ka qenë një tendencë e jona për të sjellë shumë gjëra së bashku. Këtë vit kemi pasur më shumë artistë dhe kemi dashur që të gjithëve të ua japim mundësinë për të ekspozuar punën e tyre dhe ata kanë qenë fantastik, me punime shumë cilësore”, u shpreh ajo duke shtuar se shpreson që edhe në të ardhmen do të vazhdojë kjo traditë e bashkimit të artistëve feministë përmes ekspozitave.
Në mesin e punimeve ishte edhe punimi nga Anida Basha dhe Arbian Kahrimab para të cilit edhe u bë hapja e kësaj ekspozitë. Një punim i cili njëlloj si të tjerët kishte në fokus gratë por që theksin e tij e vendoste të martesat e hershme. Në sfond dëgjohej kënga “Palinë” nga “Andrra” një artistë e cili po ashtu si festivali, mision e ka fuqizimin e grave. Këngë kjo që i shoqëronte vizitorët nga një punim të tjetri duke zbuluar mesazhet prapa tyre dhe vlerësuar ato.
“Ne si temë për këtë ekspozitë e kemi përzgjedhur martesat e hershme të cilat ndodhin në vendin tonë. Mesazhi që ne kemi dashur që të përcjellim është rëndësia e edukimit të vajzat e reja. Martesat e vajzave të reja duke qenë ato të detyruara apo më vet dëshirë, e ndalon edukimin dhe realizimin e shumë ëndrrave që ato vajza do të kenë”, tha artistja pjesëmarrëse Anida Basha për KultPlus.
Sot është dita e fundit e edicionit të 6-të të FemArtit. KultPlus gjatë ditës do të ju mbajë të informuar për ngjarjet e këtij festivali të cilat janë të hapura edhe për publikun./ KultPlus.com