6 Prill, 2018 - 8:32 pm
Ekspozita Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 është një sprovë në konstruktimin e një hapësire të kujtesës së gjallë, një mjedis që e çmon tregimtarinë dhe strukturat narrative që mundësojnë dialog historik dhe na ftojnë të mendojmë se çfarë do të thotë të kujtosh.
Tregimtaria këtu, e mbledhur nga intervistat e historisë gojore, prezantohet si një formë e re e të shkruarit të historisë, e cila mundohet t’i sfidojë tregimet dominante, në këtë mënyrë duke ua mundësuar një morie zërash të dëgjohen dhe të fuqizohen për ta treguar tregimin.
Koncepti kuratorial i ekspozitës Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 vë në qendër praktikat imateriale, dijen e cila është intimisht e lidhur me kujtesën, dhe si e tillë trajton një histori e cila ka lënë fare pak ose aspak objekte materiale.
Në ballë të ekspozitës janë kujtimet e njerëzve që kanë falur gjakun. Për ata falja ka pasur kuptim të rëndësishëm kulturor. Ata rikthyen nderin duke e rikuptimësuar atë, u ripozicionuan si të barabartë përbrenda bashkësive të tyre, dhe përfundimisht i shkarkuan familjet e tyre nga institucioni i gjakmarrjes, u ndien të lirë.
Kuratore e ekspozitës është Erëmirë Krasniqi, ndërsa arkitektura e ekspozitës është realizuar nga Diogo Passarinho. Ekspozita do të hapet në ora 19:00.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 25 prill deri 21 maj. / KultPlus.com