Galeria e Artit Tiranë, rezidencë artistike në mbështetje të artistëve të rinj

5 Dhjetor, 2023 - 11:45 pm

Pas artistes gjermane Doris Graf me projektin e saj “CITY X -Tirana”, tashmë Galeria e Artit Tiranë, ka ftuar në rezidencë 4-mujore artisten e re Arnilda Kyçyku. Artistja, rishtas zhvendosur nga Elbasani për të jetuar në Tiranë, do të nisë hulumtimin dhe zhvillimin e një projekti mbi kryeqytetin sipas këndvështrimit të saj i cili do të rezultojë me një ekspozitë personale në fund të rezidencës.

Drejtorja e GAT, Edit Pula, i ka uruar mirëseardhjen Arnilda Kyçykut, në studion e saj të re.

GAT synon të kthehet në Galerinë e Qytetit e cila krijon ekspozitat dhe eventet e saj, në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës. Kjo galeri mbështet ide që lindin nga hulumtimi i njerëzve dhe fenomeneve të vetë qytetit dhe që bazohen në çështje apo interpretime që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar me rivizitimin e trashëgimisë në përgjithësi, duke përfshirë zanatet krijuese e deri tek koleksionet.

Një nga prioritetet e misionit të Galerisë së Artit Tiranë është që nëpërmjet programit të Rezidencës në GAT, të zhvillohet në një atelie kërkimi, prodhimi dhe edukimi për teoritë dhe praktikat kulturore të cilat lidhen dhe kanë për referencë Tiranën./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme