Galeria e Ministrisë së Kulturës mirëpret ekspozitën “A4 Print” të Edi Hilës

11 Prill, 2024 - 11:00 am

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar se më 15 prill duke filluar nga ora 20:00 do të hapet ekspozita e Edi Hilës, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi me titull “A4 Print” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor.

Në njoftim thuhet se ekspozita me skica në letër formati A4 që piktori Edi Hila i ka shfrytëzuar si maketa për realizimin e pikturave, nuk është paraqitje publike e zakonshme.

“Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të foto-aparatit në dorën e artistit, përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm”, kanë njoftuar nga galeria.

Tutje, thuhet se në procesin krijues të artistit dhe në gjenezën e pikturave ku regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizes, këto pamje e kanë rëndësinë primordiale.

Kështu që, në opusin e autorit, ato bëhen jo vetëm plotësim, por edhe të barazvlerëshme me pikturat./KultPlus.com

Të ngjajshme