Galeria Kombëtare e Kosovës hapi dyert për ekspozitën e Fatmir Mustafa-Karllo

5 Maj, 2023 - 5:30 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës në mbrëmjen e së enjtes ka prezantuar ekspozitën personale “Farë e çuditshme” të artistit Fatmir Mustafa- Karllo, shkruan KultPlus.

Veprat e Fatmir Mustafës- Karllos janë të lidhura, jo në kuptimin e artit si projeksion për përvojat personale por si dëshmi e gdhendur në material. Për dy dekada të mira, shumë prej veprave të tij kanë qenë të ndërlidhura me performanca dhe ndërhyrje të cilat riformulojnë hapësirat dhe proceset shoqërore duke i bashkuar ato me një këndvështrim alternativ.

Punimet e prezantuara në ekspozitën “Farë e çuditshme” u përkasin situatave, në radhë të parë në raport me hapësirat konkrete historike dhe publike prej nga buron materiali i përdorur dhe të cilave në të njejtën kohë edhe ju referohet. Pajisje mbrojtëse të punës, asfalt, dokumente historike – këto janë farat e çuditshme që artisti i përcjellë me kalimin e kohës dhe i përfshin në veprën e tij si forma rebeluese e alternative të kujtesë.

Farat në të njëjtën kohë janë edhe sende edhe burim i proceseve jetësore. Si fruta ato janë ushqim, diçka që prodhohet dhe shitet si produkt bujqësor. Në të njëjtën kohë çdo farë është imazh i potencialit të pastër, një burim i fshehur i zhvillimit, rritje dhe jetës. Farat e çuditshme janë ato fruta që janë jo të zakonshme ose thjesht duken të çuditshme në kontekstin e tyre. Si devijim i papritur ose i paqëllimshëm ato krijojnë pamje divergjente të rregullave. Vëmendja që ato tërheqin, denormalizon realitetin dhe e bën të anashkaluarën të dukshme.

Veprat e Karllos janë pika problematike ku përvoja nga trazirat sociale, dhunës dhe historisë mund të përjetohet nga këndvështrimi i dikujt që vë në pikëpyetje vetë-provën ose mungesën e dukshme të alternativave të këtyre proceseve. Ai këtë farë të çuditshme e sheh duke punuar kudo, duke shpalosur efekte të papritura në distanca të mëdha kohore. Ashtu siç e tashmja jonë është duke i mbjellur farat që do të formësojnë jetën e fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme