25 Janar, 2019 - 3:10 pm
Alberina Haxhijaj
Sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke filluar nga ora 18:00 do të bëhet hapja e ekspozitës “Burrneshat”. Kjo ekspozitë kuruar nga Arta Agani vjen si pjesë e ekspozitës “Perceptimet” e cila pos në Prishtinë zhvillohet edhe në Cetinje, Novi Sad, Banja Luka dhe Shkup, shkruan KultPlus.
Burrneshat në Prishtinë është kompozuar në atë mënyrë që të sjellë të ndërlidhura punën e artistëve britaneze, punimet e të cilave janë marrë nga koleksioni i “ British Council” dhe punimet e artistëve nga Kosova. Prandaj vizitorët do të kenë mundësinë që të shohin punimet e artistëve të njohura britaneze si: Madame Yevonde, Clare Strand, Abigail Lane, Rachel Whiteread, Camilla Low, Anthea Hamilton, Laura Aldridge, Helen Chadwick, Tracy Emin, Sarah Lucas, Gillian Wearing, Elisabeth Price, Celia Hempton dhe Lubaina Himid të mishëruara brenda një hapësirë se bashku me punimet e artisteve vendore si: Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Arbana Hajradinaj, Flaka Haliti, kolektivin HAVE IT, Rudina Xhaferi dhe Zake Prelvukaj.
Sipas Angus Bijarnason nga British Council, i cili është zëvendësdrejtor për Ballkanin Perëndimor, duke prezantuar këto punime së bashku i lëmë hapësirë edhe dialogut për të parë se si është pozita artistëve në shoqëri por edhe si prezantohen gratë në art.
“Ajo që e ndërlidhë gjithë këtë, nuk është vetëm ekspozita por edhe bisedimet përmes të cilave do të diskutohen për sfidat me të cilat ballafaqohen gratë të cilat janë artiste. Ky dialog është ajo që i ka bërë galeritë dhe muzetë në Britani të njohur dhe dinamik, pasi që galeritë dhe muzetë në Britani nuk janë një vend i vdekur ku vetëm prezantohen apo shfaqen punimet artistike, por janë vende ku punohet, diskutohet, shfaqen pikëpamje të ndryshme dhe takohen njerëzit. Bazuar në këtë shpresojmë që përmes këtij bashkëpunimi me galerinë të krijojmë një hapësirë të tillë edhe këtu, pasi që përveç që është e rëndësishme që të shohim punimet, e rëndësishme mbetet edhe që të kuptojmë çfarë fshihet prapa tyre”, theksoi ai.
Menaxherja e koleksionit në British Council, Nicola Heald u shpreh se ideja prapa kësaj ekspozitë ka qenë dëshira që të realizojnë diçka për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, duke sjellë ide të ndryshme nuk kishin sesi ti iknin diskutimit kryesor në botë, kohëve të fundit, e që është mungesa e përfaqësimit të grave artiste në koleksione, diçka që nuk vërehet vetëm në Ballkan por edhe në botë.
“Kuratorët e kanë pasur punën me të vështirë në këto pesë vende pasi që të gjithë është dashur që të zgjedhin punimet nga koleksioni i British Council dhe të bëjnë që këto punime të përputhen me punimet e artistëve të vendit të tyre”, u shpreh ajo.
Sipas kuratores Arta Agani krijimi i kësaj ekspozitë ka qenë sfidues, pasi që ajo vë në pah shumë probleme mbi përfaqësimin e grave në art. Ajo theksoi se në mesin e 1 mijë veprave që i takojnë koleksionit të galerisë, vetëm 17 vepra janë krijuar nga gratë. Prandaj, sipas Aganit titulli burrneshat -fjalë e cila përveç kuptimit si “Virgjëreshat e përbetuara” përdoret edhe si kompliment për një grua që ka vendosmëri, sukses dhe fuqi, vë në pah ironinë e kësaj ekspozite.
“Titulli është një koment ironik ndaj diskriminimit të grave që shkon aq larg, deri te atributet, ndërsa në realitet gratë janë motorë shumë të fortë që e mbajnë shoqërinë tonë në lëvizje. Artistet në Kosovë ishin dhe ende janë në një masë, shembujt tipik të diskriminimit gjinor”, theksoi ajo duke u shprehur se tashmë gjërat po ndryshojnë dhe gratë artiste po vlerësohen me një ritëm të vonuar por me hap të sigurt.
Mirëpo, përpos manifestimit të arritjeve të grave artiste në Kosovë, programi do të theksojë si dhe të ngrisë pyetje rreth sfidave të tyre momentale: Pse ka ende aq shumë mospërputhje mes numrit të grave studente të artit, dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive? A është të qenit artiste profesion tepër kërkues? A i kundërvihet avancimi i gruas përmes artit, nocioneve konzervative për gratë e asocuara me formën dhe bukurinë, përkundër burrave, personifikimit të funksionit dhe intelektit?
Ekspozita do të hapet sonte në ora 18:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke shënuar kështu edhe 80- vjetorin e koleksionit të British Council.
Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” është rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com