Galeria më e re në Tiranë “Parking Art Gallery”, inaugurohet me ekspozitën e Arben Koliçit

11 Mars, 2023 - 1:30 pm

Parking Art Gallery është galeria më e re në Tiranë e cila tashmë është hapur me ekspozitën e Arben Koliçit, ku ky i fundit është prezantuar me ekspozitën “PRIM’ORDINE”, shkruan KultPlus.

Prim`ordine (shenjat e para apo fillesa nga latinishtja), është një pikë nisje shumë e mirë për t’i dhënë formë diçkaje, siç bën dhe vetë artisti Arben Koliçi nëpërmjet punëve të tij. Në këtë ekspozitë paraqiten disa vepra të Koliçit, i cili nëpërmjet grafikave të tij eksploron dhe kërkon forma të thjeshta, të cilat të çojnë që në fillesat e gjenezës së një kërkimi për të gjetur veten.

Ekspozita përbëhet nga grafika të punuara në letër, me rapitograf të zi dhe blu, pllaka druri të gdhendura, të cilat janë pikturuar me ngjyrat primare, bllok skicash, dhe skulptura e stilizuar e një zogu.

Të gjitha këto imazhe që artisti krijon, dalin në qendër të ekspozitës në një formë tre dimencionale të shpendit, i cili duket si lajmëtari i arkës së NOAS dhe simbol i një fillese të re. Dhe pikërisht këtu kjo ekspozitë lidhet përpikmërisht me simbolikën e hapësirës, vizionit të galerisë dhe vetë institucionit, për t’i dhënë një formë, për t’i ofruar qartësi, dhe qasje sa më të afërt marrëdhënies komunitet – institucion.

Koliçi, jo nëpërmjet fjalës, por nëpërmjet njollave apo ndërthurjeve të linjave grafike, kërkon forma të ndryshme të cilat dalin në një formë tre dimensionale. Duke filluar që me elaborimet e para në bocet dhe më pas realizimin e vizatimeve të mirëfillta me rapitograf me ngjyrë të zezë dhe blu, të cilat marrin forma në materie të ndryshme, si në ato të buta dhe në ato të ngurta.

Ndërkohë, Parking Art Gallery në vazhdim PARKING, është një hapësirë artistike e cila do tu shërbejë artistëve të pakicave kombëtare, dhe jo vetëm, duke i ofruar mundësinë për të ekspozuar punët e tyre, por në të njëjtën kohë për të gjeneruar diskutime të cilat synojnë hapjen dhe promovimin e dialogut ndërkulturorë.

Kjo hapësirë do të menaxhohet nga Komiteti për Pakicat Kombëtare, nën kujdesin e Nënkryetarit të KPK Z. Sead Kazanxhiu, duke organizuar një kalendar për ekspozitat që do të bëhen me artistët e pakicave kombëtare. Gjithashtu PARKING do të jetë e hapur dhe për OJF e pakicave kombëtare për aktivitete të ndryshme që lidhen me promovimin e vlerave kulturore të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si Ekspozita, promovime librash, shfaqe dokumentarësh dhe filmash në zonën e PARKING./ KultPlus.com

Të ngjajshme