6 Prill, 2018 - 11:15 am
Punime e stile të ndryshme zunë vend mbrëmë në Galerinë Monet në Prishtinë, krejt kjo për t’u dhënë mundësinë publikut që të pasurohen me punime origjinale, me çmime jo dhe aq të larta, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Krejt këto në kuadër të Panairit të leverdishëm të artit Pranverë 2018, që u hap sonte për herë të parë. Këtë panair e karakterizon një përzierje gjeneratash e stilesh në punime të ndryshme artistike. Për shkak të hapësirës së ngushtë në Monet, e punimeve jo të pakta në numër, zbrazëtira mes punimeve ishte shumë pak e pranishme. Megjithatë ato dallonin nga madhësia e figuracioni, që bëhej i identifikueshëm edhe me anë të emrave që ishin vendosur shumë pranë punimeve, e gjithë kjo për t’i dhënë mundësi blerësve që të gjejnë stilin e tyre dhe atë që u përshtatet më së miri për ta vendosur në ambientet që i rrethojnëçdo ditë.
Blerta Surroi, themeluesja e Galerisë “Monet”, tha se përmes hapësirës jo edhe aq të gjerë por shumë funksionale të këtij ambienti po mundohen të zhvillojnë sa më shumë aktivitete brenda muajit. Ky aktivitet ka synuar që publikut t’i sjellë diçka më ndryshe në këtë stinë. Ajo tha se ky panair u afron një mundësi të mirë për artistët që ta shesin punën e tyre por që shërben edhe si një motiv në krijimtarinë e tij artistike.
“Na ka gëzuar fakti që të gjithë ju kanë përgjigjur ftesës, vendi dhe artistët kanë nevojë për aktivitete të tilla. Ne artistët kemi nevojë të mblidhemi në një panair ku jemi të gjithë bashkë dhe ky është synimi ynë që t’i sjellim sa ma afër blerësit punimet tona”, tregoi Surroi për KultPlus.
Vlera më e lart që kapin çmimet është 300 Euro. Kjo nënkupton edhe qëllimin e Galerisë që publikut t’i ofroi punime me vlera artistike me anë të një çmimi më të ulët, kjo bazuar edhe në rrethanat ekonomike në të cilat ndodhet shoqëria kosovare. Lidhur me këtë, piktorja e themeluesja e Galerisë “Monet”,
Blera Surroi u shpreh se secili artist ka punimet në të cilat kanë investuar shumë mund dhe që mendojnë se vlejnë shumë, por në anën tjetër, secili artist në atelienë e vet ka edhe punime që do të mund t’i shiste edhe në çmim më të lirë.
Ky panair kishte mbledhur punimet e po thuajse dyzetë emrave të artistëve të njohur të vendit. Në mesin e tyre janë të përfshirë: Rexhep Ferri, Fatmir Tufina, Arif Lushi, Veli Blakçori, EshrefQahili, Musa Kalaveshi, BasriMakolli, Adem Rusinovci, BurhanAhmeti, Faik Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Blerta Surroi, ZakePrelvukaj, Mjellma Goranci, ZeniBallazhi, Naim Spahiu, Eliza Hoxha, Shqipe Kamberi, FahredinSpahija, MirsadLushtaku, Valdete Vuçitërrna, Valbona Rexhepi, Merita Maloku, Bardha Buza, Vlora H. Hajrullahu, Afrora Uka , Arlinda Hajrullahu, YrzemeMulliqi, Bardhyl Bejtullahu, Mentor U. Berisha, Artan Balaj, LeonidPalushaj, Mina Krasniqi, Jeta Kalaveshi, Albana Ejupi, AlbulenNeziri, Genc Rezniqi, Drita Blakçori.
Në mesin e shumë punimeve, janë edhe dy punime të fotografit, Fahredin Spahija të cilat edhe kanë qenë pjesë e ekspozitës që u hap së fundmi në Galerinë “Monet”. Spahija tha se këtë panair e vlerëson si shumë të rëndësishëm si për artistët, ashtu edhe për Galerinë.
“Uroj që Kosova të ketë blerës për art, unë besoj që në këtë krizë të madhe ka edhe njerëz që mund të investojnë në art dhe t’ia rrisin vlerën shtëpisë së tyre me një vepër artistike”, tha Spahija për KultPlus.
Piktorja Mina Krasniqi në këtë panair ka sjellë dy piktura nga cikli i ekspozitës së saj të fundit “Nuset”. Ajo tha se Kosova ka nevojë për panaire të tilla por edhe për panaire më të mëdha.
“Ka mungesë të panaireve në Kosovë dhe në vende të tjera shqiptare kështu që panairi u jep mundësi artistëve që të njihet më mirë puna e tij dhe pa dyshim edhe një mënyrë shumë e mirë që të përfitojnë nga puna e tyre. Ky panair ka më të vërtet artistë prej më të mirëve, është mirë që publikut t’i prezantohet një panair me art të mirëfilltë”, ka thënë për KultPlus, piktorja Krasniqi.
Këto punime do të qëndrojnë për dy javë në Galerinë “Monet”, aq sa do të qëndroi i hapur panairi në këtë galeri./ KultPlus.com