Galeria Paper nëpërmjet kartolinave të Fitore Gashit promovon institucionet kulturore

24 Dhjetor, 2020 - 2:35 pm

Teksa aparate të shumta fotografike të të huajve dhe hapat e vendasve drejtohen në institucionet kulturore të vendit, arkitektja Fitore Gashi në bashkëpunim me Galerinë Paper ka vendosur që t’i sjell ato në përmasa më të vogla por me detaje artistike më të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën kombinimin e vijave, ngjyrave, formave dhe shenjave të tjera identifikuese, Gashi ka realizuar 4 kartolina, të cilat sjellin artistikisht institucione kulturore të vendit, duke u shndërruar në dhuratë simbolike në fundvit për miqtë dhe mikeshat e Galerisë Paper.

Salla e Kuqe, Galeria Kombëtare e Artit (ish-objekti) bashkë me Pallatin e Rinisë, Teatri Dodona dhe Galeria Paper zënë vend në krijimtarinë më të re të Fitore Gashit, e cila qysh moti kishte filluar promovimin e vendeve, institucioneve dhe objekteve shqiptare nëpërmjet kartolinave.

Për të kuptuar më shumë për këtë përfaqësim simbolik nëpërmjet artit, KultPlus ka biseduar me koordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovcin dhe me vet Fitore Gashin.

“Meqë për shkak të pandemisë njerëzit nuk kanë pasur shumë mundësi që të shohin institucione kulturore përgjatë vitit, ne kemi dashur që t’ua japim një vepër arti që ta kenë në shtëpi në formë të kartolinës”, ka thënë Statovci.

Në anën tjetër Gashi për KultPlus theksoi se bashkëpunimi i tyre ka filluar nga interesimi i Galerisë Paper duke parë kartolinat e saj të mëparshme në rrjete sociale. Kësisoj, puna e përbashkët e nisur në gusht të këtij viti është kurorëzuar me këto vepra arti.

“Qëllimi ka qenë që t’i ilustrojmë këto institucione dhe Galeria Paper ta ketë një lloj përfaqësimi të artit në Kosovë”, u shpreh kreatorja e kartolinave.

Përzgjedhjen e institucioneve të cilat do të zinin vend në kartolinat e Fitores e kishte bërë drejtori i Galerisë Paper, Gaz Ejupi.

“Kemi vendosur për Sallën e Kuqe, si simbolikë të shumë aktiviteteve e manifestimeve; Galerinë, si institucioni i parë i artit në vitin 1979 që në atë kohë drejtohej nga Shqyri Nimani, bashkë me Pallatin e Rinisë; Paper Gallery dhe Teatri Dodona si një formë tjetër e artit që ka filluar me fëmijë e tash është edhe për të rritur”, sqaroi Fitore Gashi.

Pasi që rendit institucionet, Fitorja tregon edhe për mënyrën se si i ka kthyer ato në kartolina.

“Kam shkuar te të gjitha këto institucione, te Salla e Kuqe, Teatri Dodona e Galeria Paper. Ndërkaq për Galerinë Kombëtare të Arteve kam pasur nevojë për hulumtim online për shkak që ajo tashmë është në një objekt tjetër, kështu që i kam përfshirë elementet që mua më kanë bërë më së shumti përshtypje dhe ato të cilat i kam vërejtur e dashur më së shumti”, shpjegon Gashi.

Tutje, arkitektja theksoi se ideja kryesore e bashkëpunimit të saj me Galerinë Paper ka qenë paraqitja artistike e aktiviteteve në këto institucione kulturore.

“Ilustrimet nuk janë të punuara me hamendje por në atë mënyrë që të përfaqësohet denjësisht siç unë i kam ditur këto institucione, është një reflektim dhe ftesë për të ditur më shumë për artin në Kosovë”, vlerëson Fitore Gashi.

Salla e Kuqe

Kështu, Gashi në kartolina ka paraqitur ekspozitat të cilat ndodhnin në këto dy Galeri, shfaqjet që jepeshin në Teatrin Dodona dhe detaje të tjera nga Salla e Kuqe.

Në Galerinë Paper ajo ka tentuar të sjell elemente interesante, e veçmas duke u fokusuar edhe në veprat e artit që ekspozoheshin më parë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në muret e kësaj galerie.

“Harqet e Galerisë Paper kanë qenë fokusi që kam dashur t’i përfaqësoj sepse kur kam ardhur për herë të parë ato i kam vërejtur. Pastaj është llogoja që dallohet nga jashtë, radio dhe pjesa tjetër, pjesët e ekspozitave dhe performanca e flautistes Nita Shala”, thotë ajo.

Teatri Dodona

Te teatri Dodona, çdo detaj i Fitores frymon me realen. Kukullat të cilat janë paraqitur vërtetë kanë qenë arsye e realizimit të shumë shfaqjeve, bashkë me detajet tjera artistike.

“Te Salla e Kuqe si pavilion ose si pjesë e hapësirës dallohet struktura metalike e ndriçimit , që nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë dikush të shkoj në ndonjë shfaqje apo festival aty e të mos e vërejë atë”, thotë Fitore Gashi.

Në kartolinën tjetër është ish-objekti i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Pallati i Rinisë.

“Te pjesa e Pallatit të Rinisë kam dashur që të jetë diçka simbolike, një siluetë e pjesës së saj me fokus pjesën e poshtme ku është mbajtur edhe ekspozita. Për shkak që ka pak informacione kam dashur që ta bëj hapësirën në mënyrë më të gjeneralizuar por që ta jap përshtypjen e një galerie të artit, pastaj kam dashur t’i jap rëndësi edhe pikturave”, thotë arkitektja Gashi.

Përderisa këto kartolina do të jenë dhuratë në duartë e miqve të Galerisë Paper, Fitore Gashi do të vazhdoj të krijoj edhe shumë vepra tjera artistike, të cilat përfaqësojnë në një mënyrë të veçantë Kosovën. Poashtu vlen të përmendet se kartolinat e saj janë blerë nga turistë të Kosovës nga Amerika e Belgjika, teksa ajo ka pasur bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës në Turqi për dhurata protokollare dhe me Ambasadën Italiane e cila përdori kartolinat si dhuratë për ushtarët e KFOR-it, të cilët kanë kryer misionin në Kosovë. / KultPlus.com

Pallati i Rinisë

Të ngjajshme