Galeria vjeneze frymon shqip, Albana Ejupi: Piktura më bën të ndjehem gjallë

20 Tetor, 2020 - 1:12 pm

Xhemile Hysenaj

Nuk është hera e parë që një ndër Galeritë më në zë të Vjenës frymon shqip. Bëhet fjalë për artisten nga Kosova, Albana Ejupi e cila edhe këtë vit merr pjesë në ekspozitën që do të hapet sot në Galerinë ‘Lukas Feichtner Gallery’. Ejupin e karakterizon origjinaliteti artistik që frymon përmes ngjyrave të saj edhe kësaj radhe ishte ndër të përzgjedhurat e kësaj Galeria për të ekspozuar punën e saj, shkruan KultPlus.

‘Desire for intimacy’, apo thënë shqip ‘Dëshira për intimitet’ është tema që shpaloset në artin e sivjetëm të Ejupit. Ajo potencon se piktura i sjellë një realitet tjetër, që sipas saj, i dhuron një ndjesi të mos qenit vetëm. ‘Piktura është e vetmja që nuk largohet nga jeta ime. Ky fakt më bën të ndjehem gjallë’, shprehet ajo.

Trajtimi i trupave njerëzor në pikturat e artistes shpreh dëshirën për intimitet, pasi intimiteti sot, trajtohet nga fiksimi i shoqërisë për të ndarë pothuajse gjithçka nga jeta private e secilit. Kjo gjë ka bërë që Ejupi të tentojë të prezantojë pikërisht atë lidhje intime dhe unike midis trupave. ‘Ka të bëjë me diçka që është vetëm e jotja. Si dashuria, emocionet, kujtimet, dhimbjet, plagët e seksualiteti. Diçka që padyshim vlen të ruhet’, shprehet tutje Ejupi.

Albana Ejupi, ka treguar për KultPlus se realizimi i pikturave të shfaqura në ekspozitë i kanë marrë pothuajse një vit kohë. ‘Për shkak të pandemisë kam qenë në Kosovë për pesë muaj dhe aty e kam shfrytëzuar studion e vjetër të punës në shtëpinë time dhe besoj se është një përparësi e madhe për artistin që në çfarëdo vendi që të shkojë, ta ketë vendin e punës’, tregon Ejupi për KultPlus.

Albana poashtu për KultPlus ka treguar se si në çdo profesion, situata pandemike ka ndikuar edhe tek artistët, të cilët sipas saj e kanë përjetuar në mënyra të ndryshme. Mirëpo, për të, ka qenë një periudhë gjatë së cilës, ajo është fokusuar maksimalisht në projektet ndërkombëtare vjetore, edhe pse siç tregon tutje Ejupi, shumica nga ato projekte janë anuluar si pasojë e pandemisë Covid19, por që pritet të mbahen përgjatë vitit 2021.

Arti i Albanës konsiderohet si ndër më të veçantët e kësaj periudhe. Ajo ka një stil tejet unik tek i cili zakonisht mbizotërojnë ndjenjat më të thella njerëzore dhe ajo çfarë e bën të veçantë punën e saj, është cilësimi unik i teknikës më rërë të Kosovës.

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për një muaj rresht. Ndërkaq bashkangjitur gjeni linkun ku do të mund të shihni ekspozitën edhe në formatin online, gjë kjo e cila u mundësua duke pasur parasysh situatën pandemike dhe ngecjet që mund të vijnë si pasojë e saj. / KultPlus.com

Të ngjajshme