4 Prill, 2023 - 6:29 pm
Më 6 prill në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita ‘Ç ‘nuk dija që e kisha ditë…’ nga artistja Lala Meredith Vula, shkruan KultPlus.com.
Ekspozita ‘Ç ‘nuk dija që e kisha ditë…’, e kuruar nga Edi Muka, nën tingujt e kompozitorit John Young do të prezantohet si një instalacion skulpturor dhe një rrjedhë imazhesh të projektuara, të marra nga arkiva e gjerë e krijimtarisë së artistes përgjatë viteve.
Në ekspozitë do të ketë fotografi të artistes, të cilat e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në të kaluarën, duke filluar nga muret e vjetra, fëmijë duke fjetur , kafshët, të ngrënit, të pirit etj
Kuratori i ekspozitës thotë se ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’ është një ftesë për t’u përhumbur në botën e imazheve të artistes, dhe në këtë mënyrë për t’ju bashkuar dhe përjetuar udhëtimin e saj. Rrjedha e imazheve në këtë ekspozitë thur një hartë komplekse shtigjesh të cilat duhen shkelur.’
Kjo eskpozitë për më tepër do të jetë një udhëtim mendor, në të cilin vizitorët do të bien pre e magjepsjes, teksa takojnë njerëz, vende dhe histori të cilat shfaqen para syve, ashtu siç toka përshfaqet nga përtej horizontit nën këmbët e udhëtares së palodhur.
Ekspozita do të hapet në ora 18:00, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 6 qershor 2023/KultPlus.com