14 Korrik, 2019 - 11:30 am
Si duket ne shqiptarët nuk do të lirohemi kurrë nga sindromi infantil “Historia fillon me mua!”. “Unë jam qendra e botës” është vetëdija e një fëmije pesëvjeçar, i cili nuk shkëputet dot nga dëshira dhe nevoja e të qenit në qendër të vëmendjes, thotë psikologjia e fëmijës, por një psikologji e tillë po na përcjell neve kolektivisht dhe historikisht.
Qendërsimi i vetes, duke provuar të pronësojmë (lexo: përvetësojmë) çdo ide e veprimtari, me synimin për ta bërë pronë tonën duke ia mohuar ideatorin e punuesin paraprak, pavarësisht se të tjerë para nesh e kanë filluar, punuar e elaboruar dhe janë dëshmuar për realizues të asaj ideje vite e dekada më parë, është e pranishme në shumë sfera të jetës sonë dhe përballemi me të çdo ditë. Posedimi i pronës së tjetrit, duke e privatizuar, nuk është fenomen që prek vetëm pronën fizike. Privatizimi po ndodh njësoj edhe në sferën e ideve dhe të veprimtarive intelektuale.
Të prezantosh veten si prijatar të një pune a veprimtarie që ka trashëgimi, gjurmët e së cilës trashëgimi ti i bën inekzistente, tregon mbi të gjitha për diletantizmin tënd në shkencë, aq sa edhe për mungesën e etikës profesionale. Cilësia e punës akademike, qoftë empirike apo teorike, matet edhe me kërkimin sa më të pasur paraprak që e ke realizuar derisa ke arritur te vepra jote, por siç duket neve ky kërkim nuk na pëlqen, sepse kjo nuk na sjell shpejt te rezultati, përfitimi e fama, që synojmë të arrijmë brenda natës…/Koha.net