Garë për flamurin

5 Nëntor, 2021 - 2:33 pm

Ministrja Margariti, bëri me dije ditën e sotme për konkursin e realizimit të logos, simbolikën përfaqësuese në kremtimin e Javës së Flamurit, për vitin 2021.

Të gjithë krijuesit janë të mirëpritur t’i bashkohen këtij konkursi, me qëllim realizimin e asaj më të bukurës, të flamurit tonë.

“Jemi në prag të festave të mëdha të nëntorit, që do t’i presim në një atmosferë të gëzueshme së bashku. Do të festojmë Javën e Flamurit!”, u shpreh Margariti.

“Ftojmë çdo krijues të bëhet pjesë, duke konkurruar për realizimin e logos së kësaj jave aktivitetesh”, – tha ajo.

“Synimi i realizimit të kësaj “Logo”, në kremtim e “Javës së Flamurit”, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja, do të shoqërojë evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër”, thuhet në thirrjen e shpallur nga Ministria e Kulturës.

“Sa i përket kohës së zhvillimit konkursi mbahet prej 3 deri më 15 nëntor. Shpallja e fituesit do të bëhet jo më vonë, se data 16 nëntor”, – bën të ditur MK.

Ministria e Kulturës thekson se, “në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë studentë, artistë, krijues në fushën e arteve pamore. Artisti pjesëmarrës në konkurs duhet të aplikojë online në adresat zyrtare të Ministrisë së Kulturës: [email protected]”.

“Punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup”, – bëjnë të ditur autoritetet.

“Punimi i Logos, duhet të jetë shprehje artistike figurative ose grafike. Secili formateve duhet të paraqitet i punuar me ngjyra i printuar nga kompjuteri dhe në formë elektronike. Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet: Eps, Pdf, Jpg, Png”, vijon thirrja e shpallur nga MK./ KultPlus.com

Të ngjajshme