19 Mars, 2021 - 1:58 pm
“Vetëvendosje po feston një fitore të bujshme në zgjedhjet në Kosovë. Suksesi i saj është i lidhur ngushtë edhe me qytetarë të angazhuar nga Cyrihu, si Njomza Gutaj dhe Reis Luzhnica”.
Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” prezanton dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, shqiptarë por të rritur e të formuar në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih. Përmes tyre ajo vë në pah kontributin që njerëz, kryesisht të rinj, si Njomza Gutaj dhe Reis Luzhnica, nga Zvicra kanë dhënë për fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
Në vazhdim, artikulli i përkthyer nga albinfo.ch, me pak shkurtime.
Fitorja e partisë së majtë Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare kosovare dihet që nga mesi i shkurtit. Në atë kohë, shkalla e fitores së partisë së Kurtit ishte rreth 48 për qind. Por kishte ende vota që nuk ishin numëruar. Ato të diasporës që arritën në Kosovë me vonesë dhe në disa raste u desh të numëroheshin disa herë. Vota nga Gjermania, nga Zvicra, nga qytete si Berna ose Cyrihu, ku shumë shqiptarë të Kosovës janë në shtëpinë e tyre, shkruan Tages Anzeiger, transmeton albinfo.ch.
Pothuajse 600,000 nga 1,9 milion kosovarë jetojnë jashtë vendit, rreth 170,000 prej tyre, në Zvicër. Shumë prej tyre kanë të drejtë të votojnë dhe po lundrojnë në valën e suksesit të partisë Vetëvendosje, ende të pakonsumuar.
Ndër ta bën pjesë edhe 36-vjeçarja Njomza Gutaj nga regjioni Zürcher Oberland. Kurti, me një rast ka thënë se donte ta shndërronte Kosovën në një mini-Zvicër, thotë Gutaj. “E tëra që mund të them unë është: të përvjelim krahët dhe t`ia mësyjmë punës”.
Suksesi i Vetëvendosjes është gjithashtu një sukses i grave. I grave si Gutaj, të cilat besojnë se vendi i tyre do të jetë funksional një ditë – i lirë nga korrupsioni, larg patriarkalizmit. Pjesa e votave grave në suksesin elektoral ishte rreth 60 për qind. Analistët politikë në Prishtinë flasin për një rebelim të grave kundër politikës së dominuar nga burrat.
Gutaj dhe familja e saj kanë emigruar në Bubikon të Zvicrës në vitin 1989. Mësuesi i shkollës fillore në atë kohë donte t’u bënte të qartë prindërve të saj, klasë punëtore se ata nuk kishin luksin që fëmijët e tyre të ndiqnin rrugën akademike, përcjell albinfo.ch. Por Gutaj provoi të kundërtën: pasi përfundoi një praktikë komerciale, ajo studioi për administrim biznesi në një universitet dhe tani punon si menaxhere eprore në një firmë të madhe këshillimesh në Cyrih. Ajo aktualisht po lufton në tre fronte: si këshilltare për ndërmarrjet, si nënë, kujdestare e vetme për vajzën e saj dhe si një person politikisht aktiv për vendin e prejardhjes.
“Prindërit tanë nuk kanë ardhur në Zvicër si emigrantë të pasur, por si refugjatë”
Vetëvendosje ka rreth 1000 anëtarë në Zvicër me tendencë të rritjes. Gutaj është prej tetë vitesh aktiviste e saj. Partia konsiderohet e krahut nacional, të majtë. Por Gutaj e përshkruan veten si të majtë-liberale. Edhe pse, në fakt, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me bindjet: “Për mua politika është vetëm një mjet për të arritur një qëllim”, shprehet ajo.
Dhe, kur Gutaj thotë “qëllimin”, ajo e ka fjalën për drejtësinë. “Prindërit tanë nuk kanë ardhur në Zvicër si emigrantë të pasur, por si refugjatë”, shprehet ajo. Pra, është një rastësi fatlume që ajo u lejua të jetonte në Zvicër. “Unë thjesht ndiej një detyrim të brendshëm për njerëzit në Kosovë, dinjiteti i të cilëve deri më tani është shkelur me këmbë.”
Me njohuritë e saj profesionale, Gutaj bën pjesë në grupin e synuar të qeverisë së re. Kurti thekson se ai dëshiron të kthejë në vend njerëz të kualifikuar nga diaspora. Një nga problemet më të mëdha në Kosovë është ikja e trurit. Bëhet fjalë për njerëz të rinj, të arsimuar mirë, të cilët largohen nga vendi për mungesë perspektive. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 55 për qind. “Shumica e tyre, thjesht duan të largohen për momentin”, thotë Gutaj. Ajo e kupton këtë. Edhe pse, nga ana tjetër, të rinjtë tani do të kishin mundësinë ta bëjnë më të mirë vendin e tyre.
E angazhuar në qeverinë Kurti 1
Gutaj kishte iniciuar vetë një projekt zhvillimi: Kur Kurti ishte Kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit 2020, ajo kishte punuar për Ministrinë e Diasporës dhe ishte marrë me problemin se si talentet mund të kthehen në vend. Pas 50 ditësh, kishte ndërhyrë administrata amerikane e Donald Trump duke bërë që Kurti të hiqte dorë nga zyra e tij. E gjithë puna e saj përfundoi përkohësisht në kabinetin e dosjeve.
Por tani ka një mundësi të re. Megjithatë, Njomza Gutaj nuk dëshiron të emigrojë për momentin. Ajo madje ndoshta nuk dëshiron fare të kthehet atje për të jetuar përgjithmonë. Ndryshe nga Zvicra, Kosova sipas saj nuk ka mjaft diversitet. Por ajo viziton rregullisht Kosovën dhe kënaqet me vendin dhe njerëzit e saj.
Vizitat nga diaspora gjallërojnë ekonominë e vendit. Në përgjithësi, Kosova përfiton nga bashkatdhetarët jashtë vendit: remitencat nga diaspora përbëjnë 17 për qind të produktit të brendshëm bruto sipas shifrave aktuale. Megjithatë, ky realitet gjithashtu rrit rrezikun e varësisë, thotë Gutaj. “Po, edhe unë kam dërguar para atje”. Për shkollimin e ndonjë kushëriri, për shembull ose për një të afërm të sëmurë, por “jo për konsum të pakuptimtë”.
Kolegu i saj i partisë Reis Luzhnica po bën gjithashtu fushatë për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa Gutaj në Vetëvendosje identifikohet më shumë me krahun ekonomikisht liberal, Luzhnica, politikisht shkon më tej, në të majtë. Sekretari 31-vjeçar i degës së Cyrihut në Vetëvendosje ka qenë anëtar i lëvizjes që nga fillimi. Në moshë shumë të re ai u lidh me Kurtin, ish-udhëheqësi i studentëve, i cili, edhe si politikan mbeti një lloj luftëtari i rrugëve. “Ai më ka bërë të shpresoj se diçka mund të bëhet me të vërtetë në Kosovë”.
Luzhnica dhe familja e tij janë larguar nga Prishtina në vitin 1992. Kishte nëntë vjet kur ai mundi të vizitonte të afërmit e tij në Kosovë për herë të parë.
PS e Zvicrës, si “parti motër” e Vetëvendosjes dhe mospajtimet e krahut liberal të PS
Ajo që kishte parë Luzhnica pas mikpritjes së ngrohtë në Kosovë ishte: infrastruktura e mjerueshme, shumë të papunë, korrupsioni. Ankesat rreth kësaj e kishin shtyrë atë të futej në politikë. Kështu, ai vazhdimisht udhëton në Kosovë për t’u takuar me familjen, miqtë dhe shokët e partisë, Vetëvendosjes.
Reis Luzhnica tani ka shtetësi të dyfishtë dhe drejton një punëtori shtypi në Altstetten. Është po kështu anëtar i Partisë Socialdmokrate (SP). Duke vepruar kështu, ai personifikon atë që partia më e madhe e Cyrihut aktualisht është duke propaganduar në mënyrë agresive: të përbashkëtat me partinë Vetëvendosje.
Në mes të shkurtit, PS ka miratuar një rezolutë në mbështetje të VV në Kosovë. Ndër të tjera, aty thuhet: “Vetëvendosje angazhohet për reformat demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe për drejtësi sociale. Vetëvendosje është parti motër e PS Zvicrës”, transmetona albinfo.ch. Luzhnica thotë se ky hap drejt bërjes parti motër është kërkuar prej vitesh. “Unë jam i kënaqur që bashkëpunimi me kryesinë e re të PS funksionon aq mirë.”
Afërsia me Vetëvendosjen ishte, megjithatë, e diskutueshme për një kohë të gjatë brenda PS-së. Në qarqet liberale të PS-së, ishte dëshira e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, pika që i zemëronte. Kritikët e shohin këtë si një veprim nacionalist. Kishte ndodhur gjithashtu edhe hedhja e gazit lotsjellës në parlament nga deputetë të Vetëvendosjes.
“Kjo ka ndodhur më herët. Çështja e bashkimit nuk është në plan të parë, thotë Luzhnica. “Qëllimi ynë është ta bëjmë Kosovën shtet funksional dhe të pavarur”. Vetëm atëherë mund të bëhet hapi tjetër. “Shumica e popullsisë në të dy vendet e mbështet këtë ide, dhe unë e konsideroj veten si njërin prej tyre”.
Në ndërkohë, Reis Luzhnica dëshiron të promovojë më tej rrjetëzimin e Vetëvendosjes në Zvicër. Sa i përket PS-së, ai është kandidat i saj për asamblenë komunale, përcjell albinfo.ch. “E ardhmja ime është këtu. Por unë gjithmonë do të qarkulloj atje dhe këtu/albinfo.ch/ KultPlus.com