24 Qershor, 2022 - 3:09 pm
Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta, Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar te figura e Gjergj Fishtës.
Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.
Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.
Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com