10 Shkurt, 2023 - 9:31 pm
Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.
Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe Sevdail Sulejmani.
Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.
Ekspozita do të hapet më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com