6 Dhjetor, 2023 - 2:28 pm
Gjermania dhe Italia kanë zgjidhur një mosmarrëveshje të gjatë mbi një statujë të famshme nga Antikiteti, që diktatori fashist italian, Benito Musolini ia shiti Gjermanisë naziste.
”Statuja do të mbetet në Muzeun Kombëtar Romak si pronë e shtetit italian”, njoftoi ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano pas një takimi me ambasadorin gjerman.
Qeveria gjermane konfirmoi se do të hiqte dorë nga pretendimet për kthimin e saj.
Statuja, e cila përshkruan një hedhës disku dhe njihet si Discobolus Lancellotti, u shit nga Musolini në vitin 1938 dhe u ekspozua për disa vite në muzeun e artit ”Glyptothek” të Mynihut.
Por, ajo u kthye në Itali në vitin 1948 si “art i grabitur”, megjithëse piedestali ka mbetur në Mynih dhe zyrtarët e muzeut atje kanë bërë presion për kthimin e tij.
Drejtori aktual i ”Glyptothek”, Florian Knaus, iu përgjigj një kërkese të fundit nga Muzeu Kombëtar Romak për piedestalin duke argumentuar se shitja ishte një blerje legjitime dhe jo një dhuratë nga Musolini për Hitlerin.
Vepra është një kopje mermeri 1,55 metra e lartë e një statuje bronzi të skulptorit të lashtë grek Myron, e cila u gërmua në Romë në shekullin XVIII dhe më pas i përkiste familjes Lancellotti.
Diktatori nazist Adolf Hitler pati një pëlqim të madh për skulpturën gjatë një vizite në Italinë fashiste duke nxitur Musolinin të organizonte shitjen./ atsh / KultPlus.com