1 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Gjermania ka thënë se do ta kthejë një pikturë të vjedhur nga trupat naziste nga galeria “Uffizi” në qytetin e Italisë, Firence në vitin 1943.
“Vazoja me lulev”, që vlerësohet që vlen miliona euro, ka qenë në duart e një familjeje gjermane. Në janar drejtori i galerisë “Uffizi”, Eike Schmidt, ka thënë se Gjermania e ka “detyrë morale” që të ndihmojë rikthimin e saj në muze, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo natyrë e qetë është pikturuar nga mjeshtri gjerman, Jan van Huysum, për herë të parë është shfaqur në Firence në vitin 1824. Trupat gjermane më vonë e kishin vjedhur këtë vepër arti gjersa po tërhiqeshin në veri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përse është dashur kaq shumë kohë për ta rikthyer? Piktura kishte dalë në pah në vitin 1991 gjatë ribashkimit gjerman, mirëpo përpjekjet për ta rikthyer dështuan. Sipas raportimeve, familja e paidentifikuar kishte kërkuar deri në 2 milionë euro për pikturën, ndërsa autoritetet gjermane kanë cituar një vendim që i kufizon të ndërhyjnë në gjëra të tilla. Ishin thirrur në këtë vendim të vjetër më shumë se 30 vjet, duke thënë se ai i ndalon që të reagojnë. Mirëpo, pasi që Schmidt kishte kërkuar që piktura të kthehet, Qeveria gjermane ka kontaktuar pasardhësit e ushtarit nazist që e kishte vjedhur pikturën.
Autoritetet kanë thënë se piktura nuk është plaçkitur si pjesë e veprimeve të organizuara nga nazistët, por thjesht ishte vjedhur. Kjo sipas avokatëve, nënkupton që ushtari që e kishe marrë atë nuk mund të shihej si pronar i saj dhe nuk ka pasur të drejtën që të ia lërë trashëgimi dikujt, ka raportuar gazeta “Die Zeit”. Në anën tjetër, avokatët e familjes kanë argumentuar se ushtari vetëm e kishte blerë atë në një market në mënyrë që t’i dërgonte diçka të bukur gruas së tij, shtëpia e së cilës ishte bombarduar.
Asnjë detaj në lidhje me marrëveshjen e arritur në mes të Qeverisë gjermane dhe familjes nuk është publikuar. Çfarë ndodhi me vazon me lule? Sipas Galerisë, Duka Leopold II i Toskanës kishte blerë veprën në fillimi të shekullit XIX. Ajo ishte ekspozuar për rreth një shekull së bashku me veprat e mjeshtërve të tjerë, mirëpo ishte evakuuar në një fshat të afërt kur Italia i ishte bashkuar luftës në vitin 1940.
Trupat gjermane atëherë e kanë konfiskuar së bashku me piktura të tjera gjersa shkonin në veri në vitin 1943.
Një fotografi bardhezi e “Vazos së luleve” ka qëndruar e varur në Galeri me mbishkrimin “e vjedhur” në anglisht, gjermanisht dhe italisht gjatë pritjes që vepra origjinale të rikthehet.
Schmidt – që është gjerman edhe vetë – ka kërkuar që Gjermania ta shfuqizojë vendimin që kufizon ndërhyrjen në lidhje me veprat e vjedhura nga nazistët, në mënyrë që të gjitha veprat e plaçkitura të rikthehen te “pronarët legjitimë”/BBC.