4 Gusht, 2017 - 2:40 pm
Në një hapësirë të veçantë dhe shumë artistike, mbrëmë në lokalin ‘TRAFFIC gallery’ në kryeqytet u hap ekspozita ‘URBANinstallations’ e artistit kosovar, Agron Blakçori, shkruan KultPlus.
Ekspozita e cila përmban 40 fotografi, të realizuara gjatë muajve maj dhe qershor në Berlin, sjellë fotografi të cilat dokumentojnë gjësende të braktisura, të hedhura me një qëllim të caktuar, të cilat artisti Blakçori i ka parë si instilacione apo skulptura, pjesë të hapësirës urbane dhe i ka shkrepur me aparatin e tij, për të krijuar një vepër arti dhe për t’i prezantuar më pas para publikut.
‘Kam qëndruar për dy muaj në Berlin dhe atje gjatë kësaj kohe kam hasur në gjësende, objekte të cilat njerëzit i kanë hedhur për një arsye të caktuar, apo pa asnjë qëllim, të gjitha këto gjësende unë i kam parë si instilacione ose skulptura të cilat po qëndrojnë për një kohë të caktuar në një ambient të caktuar, të cilat i kam menduar t’i ruaj dhe t’i prezantoj përmes fotografisë. Ekspozita është hapur këtu për herë të parë publikisht, por në mënyrë personale kam marrë komente pozitive prej komunitetit të artistëve në Berlin’, ka thënë për KultPlus, autori i kësaj ekspozite, Agron Blakçori.
Të prezantuara për herë të parë, 40 fotografitë pjesë të kësaj ekspozite, prej mbrëmë, publiku ka mundësi t’i shoh të shfaqura për nga 5 sekonda, në një ekran në hapësirat e ‘TRAFFIC gallery’.
‘Të gjitha fotografitë prezantohen në një monitor. Këtë e kam menduar si formën më të mirë për t’i prezantuar ato, me qëllim të krijoj edhe te publiku përshtypjen e njëjtë ashtu siç i kam parë edhe unë për herë të parë. Mesazhi i krejt kësaj ka qenë që ka gjësende që dikush i hedhë si mbeturina, gjëra të vjetra, por për dikë mund të jenë gjëra të reja, interesante dhe të duken mirë. Unë çdo herë synoj të prezantoj vepra të ndryshme prej njëra tjetrës, sepse edhe jeta jonë është e tillë, asnjëherë nuk është e njëjtë’, ka thënë tutje për KultPlus, Agron Blakçori.
Për të parë 40 fotografitë e ‘URBANinstallations’, kishte ardhur edhe skenaristi kosovar, Naser Shatrolli, i cili tha se ekspozita i ka pëlqyer shumë dhe se vlerëson shumë punën e autorit të këtyre fotografive.
‘Me Agronin, të cilin e përgëzoj shumë për punën, kam bashkëpunuar disa herë, dhe mendoj që është një artist ambicioz, vrojtues, piketues, i cili ka qëllime dhe ideale. Më anë të këtyre fotografive ai u ka dhënë atyre objekteve që i ka fotografuar një kuptim krejt tjetër dhe kjo na bënë të kuptojmë se si ne mundemi të ua ndërrojmë kuptimin gjërave, diçka që dikujt ia zë rrugën dhe nuk i duhet më, dikujt mund t’i shërbejë për të shprehur art dhe të sjellë një mesazh, i cili ndërlidhet me ambientin dhe me esencën’ ka thënë për KultPlus ai.
Krejt në fund, artisti autor i kësaj ekspozite, Agron Blakçori tregoi për KultPlus, se është duke punuar një tjetër ekspozitë personale të cilën do ta prezantoj së shpejti në Prishtinë.
‘Në fund të muajit tetor ose fillim të nëntorit, do të prezantoj një ekspozitë tjetër personale këtu në Prishtinë, në të cilën Mehmet Behluli është kurator’, tha ai.
Ekspozita ‘URBANinstallations’ do të qëndrojë e hapur për dy javë.
Agron Blakçori
Agron Blakçori që nga viti 2000 merret me aktivitete të ndryshme, ka realizuar disa projekte artistike për mbrojtjen e ambientit, koloni artistike, ekspozita, skenografi, kukulla në teatrin e fëmijëve. Ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive. Ai gjithashtu është fitues i çmimit “Artistët e Rinj’ në vitin 2016 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com