22 Nëntor, 2018 - 9:30 am
Një pikturë për të cilën prokurorët rumunë të shtunën kishin thënë se mund të ishte vepra e Pablo Picassos që ishte vjedhur më 2012, sipas raportimit të mediave holandeze me gjasë është një mashtrim thjesht për publicitet. Transmetuesi publik NOS citon autorin Frank Westerman, i cili ndihmoi në lokalizimin e pikturës në Rumani, në qarkun Tulcea pas një informacioni anonim duke bërë që piktura të kthehet të shtunën në policinë rumune, transmeton “Koha Ditore” raportimin e Reutersit.
Westerman i ka treguar NOS-it të shtunën se ai ka marrë një e-mail nga një kompani teatrore nga Belgjika, e cila po organizon një shfaqje rreth një falsifikuesi të njohur të artit. Ai ka thënë se piktura duket se ka qenë një falsifikim si pjesë e një mashtrimi të eleboruar.
Në anën tjetër, një ish-kurator i muzeut që posedonte “Tête d’Arlequini” të Picassos i ka thënë televizionit holandez që në bazë të fotove që kishte parë nga piktura që u gjet, duket se ishte një falsifikim. Prokurorët rumunë, të cilët të dielën kishin thënë se po përpiqeshin të verifikonin autenticitetin e veprës, nuk kanë qenë në gjendje të japin komente pas rrethanave të reja.
Kompania teatrore “Berlin” në Antwerp të Belgjikës, që është duke përgatitur një shfaqje për falsifikimin, me disa fjalë të kujdesshme ka shkruar se ajo e kishte “kthyer”, “Tête d’Arlequin” në një kornizë të re.
Në faqen e saj të internetit thuhet se do të “kthehet me më shumë detaje mbi këtë çështje brenda ditëve të ardhshme” dhe me lajmet e listuara për raportet e zbulimit të pikturës.
Piktura e vërtetë e Picassos është vjedhur nga një ekspozitë në Rotterdam në një nga grabitjet më dramatike në botën e artit. Pikturat e tjera të marra ishin “La Liseuse en Blanc et Jaune” e Matisses, “Waterloo Bridge, London” dhe “Charing Cross Bridge, London” të Monet, “Femme devant une fenêtre ouverte” e Gauguin, “Autoportreti” i Meijer De Haan dhe vepra e Lucian Freud, “Woman with Eyes Closed”.
Një burrë rumun dhe disa bashkëpunëtorë u dënuan për vjedhje në vitin 2013, por asnjë prej veprave artistike nuk u gjet. Ekspertët rumunë besonin se të paktën tri prej tyre u dogjën në një përpjekje për të shkatërruar provat.