20 Maj, 2018 - 10:21 pm
Fotografia: Kosova.info
Këtë fotografi të Prishtinës e kishte zgjedhur si prapavijë në një video-adresim për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Videoja propaganduese me titull “The true story of Kosovo”, ku Gjuriq në prapavijë ka kryeqytetin e Kosovës, është publikuar në kanalin zyrtar të Partisë Progresive të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Por, fotografia e ngjitur si tapet prapa zyrtarit serb i është vjedhur fotografit kosovar Arben Llapashtica.
Llapashtica, i cili është kameraman i KTV-së, thotë se ka mbetur i habitur kur e ka parë këtë veprim.
Llapashtica thotë se fotografia e tij është e ngarkuar në Wikipedia, por përdorimi i saj lejohet vetëm nëse dikush i atribuohet autorit.
Për këtë shkelje të të drejtave autoriale, ai thotë se do të ngre një padi, shkruan Koha.net
Për padinë që po planifikon t’ia bëjë partisë së presidentit serb, ai është konsultuar edhe me Zyrën për të Drejtat e Autorit në Ministrinë e Kulturës.
Aty iu sugjerua që padinë ta bëjë në Serbi, pasi një të tillë, sipas shefit të kësaj zyre, Valon Kashtanjeva, ia mundësojnë rregullat ndërkombëtare.
Shkeljet e licencës standarde të Wikipedias dhe të drejtës morale të autorit i ka konfirmuar edhe njohësi i të drejtave të autorit, Arianit Dobroshi.
Në Partinë Progresive Serbe, të enjten, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje. / KultPlus.com