18 Mars, 2020 - 3:42 pm
Për shkak të situatës së krijuar nga Koronavirusi – COVID 19, janë ndalur të gjitha aktivitete kulturore dhe janë mbyllur institucionet kulturore si: galeritë, muzetë, teatri etj, shkruan KultPlus.
Në pamundësi për ta hapur Galerinë Kombëtare të Kosovës, udhëheqësit e këtij institucioni e kanë menduar një tjetër formë që të jenë sa më pranë jush këto ditë.
Ekspozitën “Heshtje e rëndë” të artistit Burim Gashi e cila është e hapur në galeri, ju tashmë mund ta vizitoni në 360 shkallë përmes këtij linku: https://www.lapsi360.com/burim360/?fbclid=IwAR3fH7pUNPPDKoYtDeKEKIBQo2l-fpMqE6JrbuEAQ-oRWehnGvflqX-pr5U
Deklarata e kuratorës Many Gransch:
Të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm. Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden.
Ekspozita `heshtja e rëndë`, tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur. Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij.
Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave
monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format
organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe
instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi
peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se
çfarë po ju bën kjo peshë njerëzve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje.
Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive. / KultPlus.com