7 Maj, 2018 - 1:30 pm
Galeria Kombëtare e Kosovës javën tjetër do të sjellë ekspozitën e radhës të titulluar “Mjegulla”, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e artistëve: Albert Allgeier, Driton Selmani, Fatmir Mustafa-Karllo, Gazmend Ejupi dhe Luan Bajraktari. Kjo ekspozitë vjen e kuruar nga Avi Lubin.
Kjo ekspozitë mëton të mendojë për potencialin që ka realiteti i mjegullt si dhe të reflektojë mbi faktin se mungesa e qartësisë mund të krijojë shtigje të reja të pamjes.
“Çka do të thotë të jesh një shtet pjesërisht i njohur, si Kosova? Çka do të thotë të jesh territor në mosmarrëveshje? Në një kohë të stresit gjeopolitik, frustrimi i momentit aktual politik dhe jostabilitetit, kur nuk dihet se çfarë të pritet dhe si të veprohet”, janë pyetjet që shtjellohen brenda ekspozitës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten, më 17 Maj 2018, në orën 20:00./ KultPlus.com