Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovarë, vjen përmes një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery

25 Janar, 2024 - 10:08 am

Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovarë do të prezantohet përmes një ekspozite e cila do të hapet këtë të premte, datë 26 janar, ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Me kurator, Basri Mekollin, kjo ekspozitë sjell edicionin e parë të grupit të artistëve të rinjë vizual kosovarë, përkatësisht artistëve grafik, të cilët me realizimet e tyre artistike janë të përzgjedhur në këtë edicion të shpërfaqjes së të arriturave të tyre në artin e zi, ashtu siç njihet ndryshe, bërja e shtypit, ndërsa te ne njihet me shprehjen grafikë.

Në kuadër të këtij rrethi artistik grafik bëjnë pjesë artistë grafik të moshave të reja, të cilët janë shquar me krijimet e tyre me çasjet e tyre individuale të preokupimeve ideore, teknike dhe materiale. Është interesant fakti se shumica e këtyre grafistëve të rinjë (hiq disa pjesëmarrës) i takojnë një bërthame të përbashkët të kohës studimore. Gjatë analizës së fletëgrafikave të këtij grupi, në vazhdimësi në mesin e tyre ndjejmë “luftën e heshtur” luftën për t’u dalluar, për të arritur një kokë më përpara se tjetri dhe si rrjedhojë kjo “luftë” e pashpallur, fare në fund i gjeti ata po në të njëjtin nivel të lart të cilësive grafike dhe dallimi mes tyre është nuancorë.

Te ky grup artistësh, kjo garë rezultoi me një arritje të lartë të shprehjeve artistike dhe po në të njëjtën kohë realizime të larta teknike, kryesisht teknikat e shtypit të thellë: xhilpërës së thatë, bukurshkrimit, akuatintës dhe shtypit të depërtueshëm. Nëse vërejmë me kujdes pjesën më të madhe të trajtimeve grafike te grafistët e rinjë gjejmë botën e brendshme shpirtërore të vet subjekteve, gjendjet e tyre empirike, ndoshta ad hoc apo duke u bazuar diku në skutat e raciove të tyre.

Këto gjendje ndjenjash herë të hareshme dhe harmonike, por shpesh edhe të trazuara nga humnerat e ndjenjave të mllefit përmbytës janë sfera e interesimeve të këtyre grafistëve të rinjë kosovarë. Pjesa tjetër e fletëgrafikave kanë të bëjnë me tema të interesimeve nga pamjet nga flora dhe fauna. Si përmbledhje, të gjithat veçoritë e përmendura më lart, janë gamë narrative kompozicionale e grafikave të prezentuara në këtë edicion, të cilat i shoqëron shprehja asociative e vijave, trajtave, formave, teksturave dhe ngjyrave grafike kryesisht të materializuara në kompozicione organike. / KultPlus.com

Të ngjajshme