6 Korrik, 2023 - 12:57 pm
Arlinda Hajdaraj
Krijimtaria unike e katër artistëve kosovarë, e krijuar para dy dekadash në Kassel, u rikthye mbrëmë furishëm në Kosovë. Ekspozita “Grykat e Ballkanit” me artist Dren Maliqi, Driton Hajredini, Merita Harxhi-Koci, Jakup Ferri dhe kuratorin gjerman, Thibaut de Ruyter, paraqesin më së miri realitetin e dikurshëm me udhëtim deri tek e sotmja, shkruan KultPlus.
Fotografitë, videot dhe instalacionet e vendosura në objektin e “Galerisë 17” zbulojnë më së miri brendësinë e veprave e mesazhin e fshehur në to.
Përmes këtyre veprave artistike synohet vënia në pah e ndryshimit ose jo, të artit vendorë brenda këtyre dy dekadave.
Nga ekspozita madhore e vitit 2003, me përmbledhje prej 90 artistëve nga e gjithë bota, me 7 shqiptarë në mesin e tyre, mbrëmë prezantuan vetëm katër nga ta. Artistët risollën edhe njëherë krijimtarinë e vet, vetëm se këtë herë, para publikut shqiptar.
Hapësira e vogël e galerisë u plotësua me madhështinë e veprave të këtyre katër artistëve të mëdhenj duke u mbushur me frymë nga prezenca e adhuruesve të një arti të tillë.
Interesant dukeshin edhe dy stolet kafe me material prej druri të vendosura në këndin e ekspozitës, por edhe më interesant ishte fakti se vendosja e tyre nuk ishte e krejt e rastësishme.
Kuratori i kësaj ekspozite, Thibaut de Ruyter, pas një vizite në Muzeun Etnologjik të Kosovës i kishin ngelur sytë në stolat e vendosur aty, andaj përfundimi nuk kishte si të ishte ndryshe, pos rikrijimit dhe vendosjes së tyre brenda hapësirës ekspozuese.
Kuratori gjerman, Ruyter, u ndje shumë i lumtur që pati rastin të kurojë veprat e katër artistëve, të mjeshtëruara mirë nga secili, pa dallim.
Ruyter tha për KultPlus se edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga shfaqja për herë të parë e kësaj ekspozite, prapë se prapë një krijimtari e tillë me vepra kaq të mira i ka qëndruar kohës pa humbur aktualitetin e saj.
“Pika fillestare e kësaj ekspozite ishte 20 vjet më parë dhe punimet që po shfaqim sot janë ende aktuale, andaj për mua janë shumë të rëndësishme. Unë mund të them që një vepër arti e mirë është një vepër që ka një kohëzgjatje deri në fund, dhe ajo kalon me vite dhe vite.” – u shpreh Ruyter.
Ruyter gjithashtu tha se edhe pse interpretimi i veprave të artit ka ndryshuar paksa, prapë se prapë funksionet e veprës artistike dhe estetika e saj vazhdojnë të jenë të vlefshme sot.
Merita Harxhi-Koci, artistja e njërës vepër të ekspozitës së shpërfaqur mbrëmë dhe njëkohësisht disenjatore e modës, tha se veprën e saj e ka paraqitur me një qëllim te caktuar duke dashur të prek një fenomen “Gruan shqiptare dhe forcën e saj”.
“Në Kosovë gratë kanë qenë gjithnjë te anashkaluara, andaj, unë si artiste me krijimtarinë time jam munduar që të vërtetoj të kundërtën, t’iu tregoj njerëzve se edhe gratë janë të zojat në udhëheqjen e një shteti dhe se shteti nuk është i rezervuar vetëm për burrat.”- theksoi ajo.
Sipas Harxhit-Kocit, edhe gratën kanë të drejtë të marrin pjesë jo vetëm në politikë por edhe jashtë saj, në çdo sferë dhe se tërë atë kauzë e ka shfrytëzuar si një formë për ndryshimin e një realiteti të atëhershëm.
Sfidat janë të pranishme gati në çdo rast e sidomos kur punët janë të rëndësishme, e ato mundohen të sjellin diçka në pah. Artistja Harxhi-Koci, tregon se sa ka qenë i vështirë krijimi i veprës së realizuar nga ajo, në ekspozitën e parë të kësaj tematike.
“Problemin më të madh e kam pas te posteri, ku më është kërkuar që të dukem shumë serioze dhe njëkohësisht bindëse në mënyrë që të krijojë një influencë të madhe tek njerëzit dhe të votohem nga ta si Presidente e Kosovës”, ka thënë Koci.
Si përfundim, Harxhi-Koci kishte grumbulluar 58.8% të votave duke u bërë njëherazi edhe Kryetare e Kosovës, që do të thotë se qëllimin veçse e kishte arritur, duke bërë njerëzit ta besojnë misionin e saj.
Tashmë, Merita është një disenjatore e njohur në fushën e modës dhe vazhdon ta ruajë me fanatizëm artin e saj, por se cila ka qenë arsyeja e ndërprerjes së veprimtarisë së saj para 20 viteve dhe se a ekziston mundësia për një rikthim, ka folur ajo për KultPlus.
“Arsyeja kyçe se pse nuk kam vazhduar të merrem me krijim ka qenë për shkak të kujdesit për fëmijët dhe njëkohësisht udhëtimet e shpeshta që duheshin bërë atë kohë, për shkak të ekspozitave. E kam parë që ka qenë e vështirë të jesh njëkohësisht një nënë e mirë dhe artiste e mirë. Andaj kam vendosur ta lë anash për një kohë, dhe jo përgjithmonë, sepse tash u bënë 20 vite pas dhe unë sapo morra pjesë një ekspozitë”, përfundoi Harxhi-Koci.
Tutje, artistja Harxhi-Koci, tha se shpreson që së shpejti të ketë mundësinë të rikthehet edhe në atë botë që dikur i’u desh ta lë anash.
Ndërkohë, Driton Hajredini, artisti tjetër, vepra e të cilit u paraqit mbrëmë para publikut të Kosovës, rikujtoi ekspozitën e parë te tij duke e krahasuar me këtë të fundit. Njëherazi, bëri të ditur edhe për sfidat që i është dashur të kalonte përgjatë një rrugëtimi të tillë, deri në arritjen e finalizimit të punës së tij, të cilën e vulosi me këtë “vepër arti”.
Hajredini tha së kësaj ekspozite të paraqitur mbrëmë para publikut shqiptar i janë paraprirë edhe dy të tjera me tematikën “Arti në Ballkan”. Ai përmendi, Harald Szeemann, njërin ndër kuratorët më të mëdhenj në botë i cili kishte filluar të vij nga Perëndimi në Ballkan, ndërsa, kuratori tjëtër, Rene Block, vendosi të bëjë të kundërtën, të shkoj nga Lindja në Perëndim.
“Unë pata vendosur të hulumtoj se kush janë këta kuratorë dhe bëra hulumtime edhe për Rene Blockun. Ai i takonte një rryme “fluksus”, rrymë e cila është total antipikturë sa që nganjëherë ka pasur edhe organizime në formë demonstrate për ndërprerjen e pikturimit”, theksoi Hajredini.
Hajredini gjithashtu tha se ekspozita e parë e këtij lloji “The gorges of Balcan” ka qënë ekspozita më e madhe që në atë kohë këta artist të rinj kanë mundur ta ëndërrojnë, kjo për faktin se kjo ekspozitë ka qenë ndër ekspozitat më të mëdha në botë me një përfshirje të një numri të madh të artistëve nga e gjithë bota në të.
“Për neve ka qenë ekspozita më e madhe qe kemi mund ta ëndërrojmë si artistë të rinj, që me qenë pjesë e ekspozitës më të madhe në botë, me përfshirje prej 88 artistëve”, shtoi ai.
Hajredini nuk la pa cekur edhe një pjesë nga historia e realizimit të instalacionit fillestar të para 20 vjetëve e që në fund rezultoi me ekspozimin e veprës së tij para qindra njerëzve.
“Rene Blocku kishte treguar që do të vinte në Akademinë e Arteve, dhe unë thuajse e kisha në kokë idenë se çka doja të bëja. E krijova instalacionin në hapësirën e Akademisë së Arteve “Who kill the painting? (Kush e vrau pikturën?) duke e prezantuar para Rene Blockut. Ai vendosi ta marrë këtë instalacion duke e bërë pjesë të ekspozitës dhe duke e blerë për koleksion të vetin”, përfundoi Hajredini.
Sfidat e kaluara gjer në përfundim të instalacionit të tij normalisht që ka pasur, por që sipas Hajredinit, kur ideja ekziston të tjerat bëhen më të lehta.
Përtej çdo suksesi ekziston një sfidë për te arritur gjer në atë cak, e një detaj të vogël ndër vështirësitë që mund të ketë hasur, artisti i mirënjohur, Driton Hajredini i ndau mbrëmë për KultPlus.
“Unë nuk kam pasur as shirit të policisë dhe më është dashur që ta marrë në baltë duke e pastruar dhe në mungesë të ngjitësit kam vendosur gozhda për të krijuar instalacionin përfundimtar”, ka thënë ai.
“Rikthimi i një ekspozite të tillë pas 20 viteve është një levizje shumë e mirë e kuratorit, Thibaut de Ruyter”, përfundoi Hajredini.
Pjesë e ekspozitës ishin edhe dy artistët e tjerë, Dren Maliqi dhe Jakup Ferri. Me veprën “Ballë për ballë”, Maliqi ka imagjinuar një takim i cili realisht ka qenë i pamundur, në mes të Elvis Presleyt dhe Adem Jasharit. Ylli i muzikës dhe artit, i drejton armën heroit dhe viktimës së luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit. Janë dy personalitete që nuk ngjasojnë as për nga vendi, kultura dhe koha por që artisti përmes veprës së tij, ka prezantuar një formë përballjeje me njëri-tjetrin.
Në katalogun origjinal të ekspozitës Kassel, Shkelzen Maliqi kishte thënë se:
“Gjesti thelbësor i heronjve i theksuar në këtë vepër artistike lidhet me armët e mbajtura në gatishmëri, si një gjest paradoksalisht i dhunshëm që garanton sigurinë dhe dinjitetin e individëve dhe shoqërive që përballen vazhdimisht me kërcënime të dhunshme.”
Ndërsa, gjatë kësaj ekspozite u paraqitën edhe dy video të Jakup Ferrit, ku të pranishmit kishin mundësinë ti shihnin dhe ti dëgjonin për të parë mesazhin, që përcillnin këto dy video.
Kujtojmë që ekspozita “Back to the groves of Balcan” është hapur mbrëmë në Galerinë 17 dhe do të qëndrojë e hapur deri me datën 15 shtator./ KultPlus.com