22 Prill, 2018 - 6:00 pm
Gili Hoxhaj
“Nëse ki qef me pa Kishë e Xhami, dil n’shadërvan kafe me pi”, kështu shkruhet në njërin nga punimet e artistes së re Hana Arapi. Ky punim që sjellë në mënyrë artistike arkitekturën e qytetit më të bukur të Prizrenit, shënon një nga shumë punimet e saj që u prezantuan mbrëmë në ekspozitën e saj personale “n’4tën”.
Hana Arapi është absolvente e dizajnit grafik, ndërsa me po këtë ekspozitë po kurorëzon edhe rrugëtimin e saj katërvjeçar në këtë fushë të studimit. Ajo është rritur në Prizren dhe pikërisht në këtë qytet po kthehej së bashku me shumë kolegë e të afërm të saj, për të ndarë momentet e ekspozitës së saj personale.
Hamami “Gazi Mehmet Pasha” në Prizren, ishte bërë pikëtakim i artistes me mysafirët që kishin ardhë t’i shohin punimet e saj, të cilat kishin marrë një pamje të mahnitshme të vendosura në murin e gurtë të këtij hamami. Punimet e saj që tregonin për një stil modern, e shprehje të re artistike në fushën e dizajnit grafik, tashmë ishin mbështetur në një nga monumentet më të vjetra të këtij qyteti. Punimet e i përkasin fushës së Komunikimit Vizual, duke përfshirë Mediat Dixhitale, Ilustrimin, Fotografinë dhe Tipografinë.
Profesoresha dhe kuratorja e kësaj ekspozita, Lyra Zajmi në ceremoninë hapëse të ekspozitës tha se ndihet tejet krenare për ekspozitën dhe punën e studentes së saj, Hana Arapi.
“Jeta është e çuditshme, para shtatë vitesh e kam hapur ekspozitën këtu. Për mua atëherë ka qenë një sukses shumë i madh, e kam ndjerë veten shumë krenare por mund ta them që sonte po ndihem edhe më krenare për ekspozitën e Hana Arapit. Sonte më shumë kënaqësi jam edhe kuratore, në radhë të parë jam edhe profesoreshë e këtyre vajzave punëtore dhe të suksesshme”, u shpreh Zajmi gjatë hapjes së ekspozitës.
Kolegia e saj, Diellza Balaj gjatë hapjes së ceremonisë u shpreh se duke e njohur punën e Hanës përgjatë katër viteve, kjo nuk do të mbetet ekspozita e saj e fundit dhe se ajo ka edhe shumë për të dhënë nga vetja në vazhdimësi.
Për Hana Arapin kjo ishte dita më e mirë e jetës së saj. Ajo tha se mbrëmë është ndjerë shumë e plotësuar me praninë e të gjithë atyre që kishin ardhur ta shohin ekspozitën.
“Nuk kam prite kaq shume publik, në ekspozitën time kanë ardhur njerëz qe nuk i kisha pa me vite edhe kishin ardhë enkas për këtë ekspozitë, po ndihem shume e privilegjuar. Sinqerisht dua shume t’i falënderoj të gjithë ata qe kanë qenë pjesë e ekspozitës sime, ndërsa ne veçanti profesoreshën e dashur dhe kuratoren time Lyra Zajmin, shoqërinë, familjen, Iniciativën “Femaktiv”, Organizatën “Dokufest” dhe Dj Esnaf(Agon) pa të cilët kjo ekspozitë nuk do të shkëlqente ne këtë mënyrë ”, ka treguar për KultPlus, artistja Hana Arapi./ KultPlus.com