28 Shkurt, 2019 - 9:00 pm
Artistja kroate Hana Miletić sonte erdhi në Prishtinë për të shpalosur punën e saj në LambdaLambdaLambda.
Ekspozita e saj e titulluar “Materiale” përfshinte një punë të automatizuar dhe praktikën që ajo ndjek duke punuar me dorë. Punimet e Miletiqit ngjallin tradita dhe praktika të ndryshme të që duan të shpalosin më shumë ndjenjën e kujdesit, që përfshin prodhimin e punuar me dorë në punën e deleguar të automatizimit. Punimet e saj përbehen nga imazhet e reparacioneve të gjetura në hapësirën publike, të cilat në të njëjtën kohë janë shenja të mungesës së mirëmbajtjes.
Artisja ka përkthyer këto shenja dhe gjeste në mes të tekstileve të punuar me dorë dhe në mënyrë të automatizuar. Në këtë mënyrë ajo ndërton instalacione duke gërshetuar temat që shpesh nuk vijnë si të lidhura me njëra tjetrën, shkruan KultPlus.
Hana Miletić tha se është tejet e lumtur që po shpalos punën e saj në Prishtinë, ndërsa thotë meqë vjen nga Kroacia, ajo gjen shumë lidhje kulturore me Kosovën dhe ky mjedis i duket mjaft familjar.
“Megjithatë ka edhe gjëra të reja dhe jam e lumtur që kam qëndruar këto ditë këtu ku mund të shoh edhe gjëra të reja”, tha artistja Miletić.
Ajo thotë se në këtë ekspozitë veçmas ka përdorur një formë të tekstili që e përdor në një ambient shumë privat siç është shtëpia. Për KultPlus, ajo tutje tha se puna e saj bazohet në imazhe e hapësirave të riparueshme, dhe tha se punimet e saj janë më shumë një qëndrim për gjërat që duhet të mirëmbahen dhe ndaj të cilave duhet kushtohet më shumë kujdes.
“Unë kryesisht punoj punë që përfshijnë tekstil që i prodhoj vetë dhe ndonjëherë në mënyrë të automatizuar, ndonjëherë intervenoj në këtë prodhim duke i tërhequr me dorë. Këtu po shfaq për herë të parë edhe disa punë që përmbajnë pigmente natyrale si qepa, avokado”, tha ajo për KultPlus.
Hana Miletić e lindur në Zagreb në vitin 1982, tani vepron në Bruksel. Ajo studioi Fotografi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura Antwerp dhe Akademinë Gerrit Rietveld, Amsterdam; ka studiuar Historinë e Artit dhe Arkeologjinë në Universitetin e Lirë të Brukselit; dhe Studimet Gjinore në Universitetin e Utrehtit. Në vitin 2018 WIELS Qendra e Artit Bashkëkohor në Bruksel paraqiti ekspozitën e saj të parë personale. Kohët e fundit ka marrë pjesë në ekspozita grupore në muzeun e artit bashkëkohor S.M.A.K, Ghent (2018-19); Metro Pictures, Nju Jork (2019); TextielMuseum, Tilburg (2018-19); Bienalja e 13-të e Sharjahut (2017) dhe Palais de Tokyo, Paris (2016). Ajo ishte banore e Jan van Eyck Academie në Maastricht në vitet 2014-15. Në vitin 2015, ajo u nderua me çmimin BOZAR në kuadër të Çmimit të Artë të Belgjikës./ KultPlus.com