12 Nëntor, 2024 - 6:29 pm
Vjollca Duraku
25 artistë nga vende të ndryshme të botës mbrëmë kanë hapur ekspozitën e edicionit të 12-të “Net/Rrjet” në qendrën “Barabar”, shkruan KultPlus. Koncepti i këtij viti i përketë artit bashkëkohor dhe ka të bëj me “FastArt”, që vjen si rrjedhojë e një arti të shpejtë nga dinamizmi i jetës i cili mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit. Video, instalacion, fotografi e pikturë janë paraqitur në ekspozitën e kuruar nga Zeni Ballazhi, që përveç tjerash synon rrjetizimin e artistëve vendorë e atyre ndërkombëtarë.
Prej eksponateve, i pari që bie në sy qysh në hyrje është “Instalacioni” i artistes Leonita Krasniqi. Dhjetëra punime nga alumini qëndrojnë të varura lartë në murin e galerisë me figura të ndryshme artistike.
Përballë tyre qëndron krijimi artistik i Resul Jusufit “Surpassing himself”. Para një pikture që paraqet hijen e një burri janë të varura një palë këpucë të vjetra, prej të cilave njëra e ndarë në gjysmë.
Në kthinën e galerisë gjenden edhe eksponatet mjaft të veçanta të ukrainases Kateryna Repa. Veçantia e këtyre punimeve ka qenë teknika e punës, ku përmes shkronjave milimetrike që mezi shihen me sy të lirë janë vizatuar portrete me rrëfime nga lufta e Ukrainës.
Majlindja Kelmendi, drejtoresha e qendrës për art bashkëkohor “ExpoArt.40”, e cila është edhe organizatore e “Net/Rrjet” ka thënë se qëllimi i ekspozitës është rrjetizimi i artistëve vendorë me ata ndërkombëtar.
“Net/Rrjet ka filluar në vitin 2008, është rritur, qindra artistë ndër vite kanë marrë pjesë. Vet fjala Rrjet tregon rrjetëzimin, vendosjen e urave në mes të artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtar, për t’i ekspozuar pastaj së bashku në qytetin e Prishinës. NET/RRJET është një koncept bashkëkohor. Punimet që janë këtu janë të artistëve të cilët punojnë me një qëllim të caktuar, për të përcjellë një mesazh ose për të përcjellë vepra të mediave të ndryshme kemi: video, pikturë dhe instalacion”, ka thënë Kelmendi.
Piktorja Kelmendi ka thënë se ekspozita krijon një minibotë ku secili artist shpreh preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës që e ka realizuar veprën.
“Qëllimi është edhe reklamimi i vendit tonë në vendet e artistëve ndërkombëtarë. Miqtë e tyre artistë na kanë shkruar për të qenë si kontingjent për edicionin tjetër. Kjo nuk na shërben vetëm ne si artistë por i shërben edhe vetë Kosovës për ta bërë sa më të njohur. Kur kemi filluar në 2008 na është dashur të përballemi me pyetjen ku i bjen Kosova, gjë e cila nuk ka ndodhur këto dy-tre vitet e fundit. Kjo është një gjë shumë e bukur. Artistët nga vendet e ndryshme ofrojnë botën e tyre dhe problematikën e tyre në lidhje me temën që trajtojmë. Këtu krijojmë një minibotë, ku secili artist shfaq preukopimin e vet që e ka pasur gjatë kohës kur e ka realizuar atë vepër, prandaj edhe është interesante që ka botë të ndryshme brenda një bote të madhe”, ka thënë Kelmendi.
Ndërsa, kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se koncepti i këtij edicioni është i bazuar në “FastArt”.
“Sivjet koncepti është i bazuar te kjo pjesa aktuale “FastArt” për shkak se arti i shpejtë ose dinamizmi i jetës së përditshme të shpejtë na mundëson forma të ndryshme të prezantimit të artit, sidomos të pjesës ndërkombëtare për shkak se artistët nuk kanë mundësi të ekspozojnë veprat e tyre brenda një jave në disa shtete. Një mundësi e mirë sot është edhe prezantimi i ekspozitave të shpejta ose ekspozitave të cilat kanë të bëjnë me ekspozitat online. Është prezantim aktual, më i miri i mundshëm për bashkëpuniin edhe me rtistë edhe me vende të ndryshme të botës”, ka thënë Ballazhi.
Kuratori më tutje ka uruar që në të ardhmen të krijohen mundësi më të mëdha për artistët pasi sipas tij Kosova ka potencial jashtëzakonisht të madh për organizimin e ekspozitave të tilla.
“Mundësi tjetër e mirë është për shkak që artistët vendorë kanë mundësi që të krijojnë këtë lloj rrjetëzimi dhe t’i bashkohen këtyre lloj artistëve të cilët sot prezantohen në mënyra të ndryshme dhe të shpejta në vende të ndryshme. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 25 artistë dhe pjesa më e madhe janë artistë ndërkombëtar. Kosovës i kemi sjellë sivjet prurje të reja të vendeve të ndryshme këtu. Kemi edhe vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, kjo për faktin që Kosova të njihet edhe në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar kuratori Ballazhi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 11 deri më 17 nëntor 2024, nga ora 12:00 deri në 17:00, në Barabar Centre (Grand Hotel, kati i katërt), Prishtinë./ KultPlus.com