15 Nëntor, 2023 - 2:28 pm
Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me entuziazëm, në hapësirat e CNP-së është hapur edicioni i XI i “Net/Rrjet” – Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, nën përkujdesjen e Expoart.40, përcjell KultPlus.
Kuruar nga Bora Kelmendi Beqiraj, këtë vit, koncepti kuratorial ka qenë “Ekzistenca në t’përkohshme”. Vizualizimi i ideve mbi të përkohshmen është një tentativë për të afruar më pranë perceptuesit simbolin; hulumtimin; studimet; idetë; Si mjet për të deshifruar një pjesë gati personale të asaj se çfarë mendohet rreth ekzistencës në tërësi dhe specifikisht, atë se çfarë është e përkohshme, e që në këtë rast është relative. Duke inkurajuar reflektime mbi atë që saktësisht është permanente dhe çfarë abstrakton momentin e ekzistencës së saj.
Në këtë hapësirë të posaçme, materialet janë zgjedhur me kujdes, në atë formë që të neutralizojnë kufijtë midis fushës profesionale, e të krijohet një emërues i përbashkët që është ekzistenca në tërësi. E përkohshmja nuk ekziston vetëm në formë abstrakte por në fakt mund të jetë, e prekshme, e ndjerë, e perceptuar, dhe pjese e përditshmërisë. Për ta kontekstualizuar, ngritet pyetja: Cili është realiteti i të përkohshmes? në fund të fundit, çfarë realisht ekziston në përkohshmëri? Ekzistenca në sferën e disa realiteteve është ajo që shtyn njeriun për të menduar lidhur me afatet kohore të ekzistencës në një mënyrë për të eksploruar natyrën kalimtare të jetës dhe përvojës njerëzore.
Nëpërmjet këtij reflektimi tematik bëhet i kuptueshëm se si në mjaft raste kemi ekzistuar në situata të përkohshme duke i përjetuar ato si gjendje e përjetshme, e kjo e shndërron këtë projekt në një mjet për të ndërmjetësuar të kuptuarit të këtyre momenteve nëpërmjet reflektimit ne forma te ndryshme.
Duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm dhe inkurajues, artistët pjesëmarrës ishin: Barbara Bernardi, Erion Kllokoqi, Estudio Yesporciento, Leonor Marttin & Aida Novarro, Mikel Temo, Patriza Mori, Rubin Kadiu, Renato Bocchi, Juan Carlos Quindós & Valentina Rizzi.
Ky projekt është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com