23 Mars, 2021 - 9:39 pm
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot piktorin e madh Sali Shijaku një pikë referimi e padiskutueshme e arteve pamore dhe një figurë kyçe e historisë së pikturës.
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka organizuar sot një ekspozitë me rastin e 88-vjetorit të piktorit shqiptar Sali Shijaku ku janë ekspozuar 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë, që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh.
Të pranishëm në ekspozitë ishin artisti Sali Shijaku dhe familjarë të tij, Kryeministri i vendit Edi Rama, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano dhe artistë të tjerë.
Kryeministri Rama e falënderoi piktorin Shijaku për praninë dhe kontributin e tij në hapjen e kësaj ekspozite.
“Besoj është një nder i madh për qendrën tonë, për këtë godinë e mua personalisht që na u dha mundësia falë gatishmërisë së profesorit që ne ta ekspozojmë Sali Shijakun, është një pikë referimi e padikutueshme e arteve pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve qofshin kolegë, breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe motivuan nga ai”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “është një kontekst shumë i posaçëm që të hapet një ekspozitë që sidoqoftë është një moment festiv për veprat që ekspozohen dhe autorin e tyre dhe kjo të zhvillohet me kaq pak njerëz si rezultat i këtij konteksti shumë të posaçëm ku jemi”.
“Nga ana tjetër çka unë po mendoja kur e pashë për herë të parë këtë ekspozim të këtyre punëve të vogla në përmasa, por domethënëse në bashkësinë e tyre është pikërisht ideja e një muzike dhome. Profesori ka pasur shumë momente festive me turma të mëdha që viziton ekspozita të mëdha për veprat shpeshherë monumentale të tij, ndërsa një koncert me muzikë dhomë duket se është hera e parë nëse unë nuk gaboj. Kam shpresë që në ditët në vijim dhe javët në vijim kur ekspozita të jetë e hapur për publikun pavarësisht numrit të kufizuar kjo ndjesi e muzikës së dhomës dhe privilegji i të shijuarit të gjithë këtyre punëve me pak njerëz, pa zhurmë, pa të presionin e një mase të madhe njerëzish në një farë mënyre di të sjellë një kënaqësi të madhe për ata që do e vizitojnë”, – nënvizoi Rama.
Më tej Rama tha se, “e kujtoj profesorin si një prani hijerëndë në jetën tonë artistike dhe për të gjithë ne që ishim më të rinj ishte një ëndërr të takonim Sali Shijakun të na fliste apo të na jepte këshillat e tij dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë disa mësime që sot e kësaj dite i mbaj mend nga profesori në studion e tij. Ashtu si ka qenë privilegj nga të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë afërsi me të e të ndihmohen prej tij”.
“Profesori tha se koha tanimë pas 30 vjetësh e ka zgjidhur lidhur me artin e krijuar në periudhën e totalitarizmit nën diellin e realizmit socialist që ishte në njëfarë mënyre një diell verbues për të gjithë ato rrugët e tjetra të shikimit dhe që përcaktonte një rrugë të vetme shikimi dhe është e qartë se pavarësisht kohës kur u krijuan pavarësisht kontekstit dhe instrumentave të kufizuar në dispozicion të artistëve ka padiskutim sot dhe do ketë gjithmonë më shumë vend për të vlerësuar ato vepra të cilat nga pikëpamja artistike kanë qenë dhe mbeten me peshë dhe me autoritet në sallat ku ekspozohen”, – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “pavarësisht kontekstit dhe mënyrës së shikimit të asaj kohe mbi p.sh., tabloja e Vojo Kushit, Mic Sokolin tablo momentale të Sali Shijakut sot i qëndrojnë kohës më së miri dhe i flasin shikuesit që është i zhveshur nga pesha e ideologjisë së dikurshme apo komplet i distancuar me çfarë ka ndodhur rreth e rrotull veprës. Janë jo pak vepra të asaj kohe që sot në kontestin e një kohe tjetër ku liria për të ekzistuar dhe për të shikuar është shumë më e madhe se atëherë ato përfitojnë nga kjo liri dhe qëndrojnë aty padiskutim si gur kilometrik i historisë së artit tonë”, – tha Rama.
Kryeministri gjithashtu ftoi studentët e artit për të vizituar ekspozitën në ditët e hapjes për publikun, për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh siç e quajti ai, dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial.
Ekspozita “Sali Shijaku – 88 Dritëhije dhe ngjyra” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, ndërsa është fokusuar kryesisht në punimet e tij në letër.
Veprat e artit të ndara nëpër disa kategori artistike paraqiten nën Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte të autorit, dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.
Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi i skicave dhe bocetit të monumentit të “Lirisë”, me një detaj të rëndësishëm, sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021.
Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010./atsh/ KultPlus.com