24 Shtator, 2020 - 7:58 pm
Muaji i trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ka pasuruar aktivitetet kulturore edhe pse në kohë të vështira. Qendra e Muzeumeve në Berat erdhi me ekspozitën unike fotografike, hapur në galerinë “Eduart Lear”, me pamjet e vjetra të Beratit, përcjellë KultPlus.
Ky është aktiviteti i dytë që po organizohet në kohë pandemie nga Galeria Lear në Berat, ku siç shihet edhe nga pamjet pjesëmarrësit kanë qenë të pakët, të pajisur me maska dhe duke respektuar distancën. Në këtë ekspozitë ishin mbledhur fotografi të vjetra të Beratit nga fotografë vendas dhe të huaj, të grumbulluara nga revistat e asaj kohe si dhe nga fotografët e vjetër të qytetit të Beratit dhe të Shqipërisë. E veçanta e kësaj ekspozite ishte shfaqja për herë të parë e fotografive nga të gjitha pamjet e qytetit: Ura e Goricës e shkatërruar në kohën e luftës, si dhe shtëpitë muzeale të viteve 1938.
Në fjalën e tij, Drejtori i Muzeumeve në qytetin e Beratit, Agron Polovina i cili është dhe piktor, ka deklaruar se kjo ekspozite fotografike është një seri fotografish imazhe të qytetit të Beratit të vjetër, të përzgjedhura me kujdes, që i përkasin një periudhe 100 deri në 120-vjeçare. “Shumica e fotove, – thotë Polovina – janë realizuar nga mjeshtër fotografë, nga udhëtarë, gjeografë, etnografë etj, të cilat i kanë ekspozuar ato në kohët e hershme në revistat ndërkombëtare të asaj periudhe”.
“Kjo ekspozitë pikë së pari i drejtohet brezit të ri, për të pasur një përfytyrim më të saktë për qytetin e tyre dhe historikun e zhvillimit të tij ndër vite’, – tha Polovina.
Të pranishmit kanë shijuar ekspozitën, duke shijuar fotot e rralla dhe të paarritshme të qytetit antik, Beratit, të realizuara nga mjeshtrit fotografë (vendas dhe të huaj).
***
Berati është një ndër qytetet e rralla, që daton me agimin e njerëzimit
Një kohë, kur ujrat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi, i zbuluar nga natyra në sajë të këtij lumi, i cili duket të jetë vënë posaçërisht për të mirëpritur një qytet ku jeta filloi të organizohej për më shumë se 2400 vite.
Ky qytet, rezultat i fantazisë së rafinuar, tërhoqi poetët dhe piktorët
Qytetet si Berati, kanë një gjenezë jo të thjeshtë. Periudha e para-qytetërimit zgjati gati dymijë vjet. Zbulimi në muret e kështjellës, i dy çekanëve prej guri dhe mbetjeve metalike (përbërë prej bakri dhe bronzi), që i përkasin fillimit të periudhës së bronzit (dymijë vjet para Krishtit) e provojnë këtë. Zbulimet e mëvonshme të shumë pjesëve prej qeramike, tregojnë shtimin e ngulimeve të bëra në këtë qendër, derisa në shekullin e IV para Krishtit vendi u transformua në një kështjellë në kodër djathtas lumit Osum, e cila shënoi origjinën e qytetit. Kështjella me bazamente ilire, u ruajt në shekuj dhe në shekujt VI, XIII, XV e XIX u modifikua. Si i tillë ajo nuk është vëtëm një ndër kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv gurësh, i cili ofron një varietet stilesh e kontributesh të epakave të ndryshme, si asaj Romane, Bizantine, Shqiptare e Otomane.
Gjithmonë së njejtës periudhë (shekulli IV para Krishtit) i përket edhe një tjetër kështjellë ajo e Goricës, e pozicionuar në kodrën përballë, duke krijuar një fortifikim të dyfishtë në të dy anët që zbresin drejt lumit. Rezultat i këtij fortifikimi nuk ka qenë vetëm mundësia për të dominuar zonën, por edhe për efekt dekorativ për pamjen: kodrat ngjajnë si mbretër me kurorat mbi koka, të fomuara nga kështjellat e bardha.
Historia duhet të ketë përqendruar këtu drama dhe tragjedi. Duke qenë një nga qytetet më të rëndësishëm të mbretërisë Ilire, u banua nga një tribu e madhe: Dasaretët. Gjatë luftrave Iliro-Romake dhe Maqedonase-Romake qyteti u mor një herë nga maqedonasit e një herë tjetër nga Ilirët. Është interesante të dihet se në Berat u lind Ptoleme Lagosi, i biri i Filipit të Maqedonisë dhe themeluesi i dinastisë Ptolemene në Egjipt, e cila filloi pas vdekjes së Aleksandrit të Madh dhe që vjen deri në vdekjen e Kleopatrës.
Në vitin 200 pas Krishtit, qyteti u dominua nga romakët. Qyteti i fortifikuar u identifikua me Antipatrean nga Polibi në vitin 216 para Krishtit. Me të njejtin emër e quan më vonë Tit Livi, që e përshkruan si qytet i madh e i fuqishëm i fiksuar në një qafë të ngushtë shkëmbore. Livi tregon edhe për ligësinë e konsullit romak, i cili iu kundërvu me egërsi qytetarëve të cilët nuk i përuleshin, «…vrau të gjithë nga gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart, lejoi që ushtria të vidhte, të shkatëronte muret e t’i vinte hekurat dhe zjarrin qytetit».
Për sa i përket emrit të qytetit ekziston edhe një tjetër hipotezë: emërtimi i qytetit antik me emrin Bargul. Ky emër përmendet edhe nga Tit Livi kur flet për traktatin Romako-Maqedonas të vitit 205 para Krishtit, nënshkruar në qytetin e Dimalit. Ky emër, i cili në gjuhën Ilire do të thotë i bardhë, mbahet më vonë në traditën bizantine dhe sllave, ndërsa emri tjetër, Antipatrea, u përmend nga Dasaretët, që sot është zona midis Korçës dhe Pogradecit.
Romakët e quajtën qytetin edhe Albanorum Oppidum (Fortesa e shqiptarëve). Në vitin 148 para Krishtit qyteti u përfshi në provincën romake të Maqedonisë, ndërsa gjatë Dioklecianit (shekulli II pas Krishtit) në provincën e Epirit të Ri. Emri Pulkeriopolis u shfaq në shekullin e V, nga emri i motrës së perandorit të Lindjes Teodosi II. Ky emër, Pulcheria, që do të thoshte i bukur, i fortë, i pasur, i ndritshëm, iu dha qytetit jo pa qellim : qyteti po bëhej në fakt një kryeqëndër dhe shfaqte një nivel të lartë kulturor, dhe dëshmi siç janë kodikët e famshëm të Beratit, të cilat i përkasin kësaj periudhe.
Me kalimin në Mesjetë, fillon një periudhë e errët edhe për Beratin. Qytete të tjera të vogla shqiptare zhduken. Berati mbeti vetëm një hapësirë e gjerë: fusha para dhe malet pas. Qyteti mbijetoi vetëm falë rrjetit rrugor të Shqipërisë së Mesme rreth Beratit, por edhe për pozicionin gjeografik, sepse është pika në të cilën bashkohet fusha me malet, pozicion i cili siguron agrikulturë dhe blegtori. Megjithë kushtet e mbylljes së ekonomisë, Berati vazhdoi të zhvillohej, dhe filluan të shfaqen raportet e tipit feudal.
Në vitin 860 në Berat filloi i pari invazion bullgar, i cili zgjati deri më 927, derisa u rikthye dominimi bizantin, që vazhdoi deri në fund të vitit 969. Pas kësaj filloi menjëherë invazioni i dytë bullgar, i cili u largua përfundimisht në vitin 1018. Invazioni bullgar, në fazën e dytë, e pagëzoi Beratin me emrin Belgrad, fortesa e bardhë. Përveç këtij transformimi të emrit, qyteti nuk pësoi të tjera transformime nga ana e bullgarëve.
Pas rënies së mbretërisë bullgare (1018) qyteti luajti rolin e një qendre të rëndësishme. Fakt u bë edhe letra e viteve 1096-1105 e Theofilakt i Ohrit një ndër dijetarët më të përmendur të kohës, në të cilën e përshkruan peshkopin e Beratit, si «një njeri tek i cili shkëlqen dituria».
Me rënien e perandorisë bizantine, Berati u bë një prej qendrave kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit. U bë rezidenca e Mihal Engjell Komnenit, Despot i Despotatit të Epirit. Në hyrje të kështjellës, në portën jugore, gjendet një monogramë e përbërë prej gurësh, një kryq e katër gërma ku shkruhet M.H.L.K., i cili është emri i despotit, M. (i) H. (a) L. K. (Omneni). Kjo rrënjë e familjes së madhe bizantine të Engjëll Komnenit merr fund në vitin 1216 por, pasardhësit e tij do të mbajnë këtë emër edhe për gjysëm shekulli.
Për Perandorin Bizantine, Berati ishte kaq i rëndësishëm, saqë tërhoqi menjëherë vëmendjen e Anzhuinëve të Napolit në vitin 1271. Disfata e Anzhuinëve, të cilët kishin zaptuar qytetin për gati dhjetë muaj, u festua me gëzim të madh si në Berat,ashtu edhe në Kostandinopojë. Ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda Kështjellës së Beratit (një emër që të kujton pallatin Perandorak të Kostandinopojës) lidhet me këtë fakt. Data e krijimit të kishës mban, në fakt, të njejtën periudhë. Në rregjistrat antikë të Beratit, të vitit 1280, gjenden të parat lajme mbi daljen e qytetit jashtë mureve të kështjellës. Nga këto tekste evidentohet që ndërtime të reja filluan edhe jashtë mureve.
Rëndësia e madhe e Beratit ndihet edhe në fillim të shekullit XIV (1302-1320) kur qeveritarët e Beratit morën detyra të rëndësishme nga Bizanti; një prej tyre ishte kunati i Perandorit. Në atë kohë në Berat manifestohen shenjat e para të një revolte popullore dhe një tendencë për autonomi nga ana e latifondistëvë shqiptarë.
Revolta shpërtheu në vitin 1336 dhe, dhe revolta përfshiu edhe Beratin. Për të ulur revoltën popullore erdhi në Berat vetë Perandori. Në të njejtën periudhë afrohet fundi i erës bizantine. Në vitin 1345-1346 Perandoria Bizantine zhduket përfundimisht nga skena politike shqiptare. Filloi dominimi i mbretit serb Stefan Dushan. Berati u vu nën mbikqyrjen e tij dhe u quajt Belgrad, edhe pse më vonë u kthye nën dominimin e Muzakajve, një ndër familjet më të fuqishme shqiptare.
Në vitin 1417 Berati u mor nga turqit. Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit të V të Aragonës për t’i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë.
Sipas regjistrit turk të vitit 1431, në Kalanë e Beratit ndodheshin 227 familje, me një total prej rreth 1500 banorë. Në shekullin XVI Berati mori zhvillim paralelisht me rritjen e Perandorisë Otomane. Ndërtime të reja u bënë jashtë mureve të kalasë, në momentin e parë jug e jug-lindje, dhe më pas përgjatë anës së djathtë të lumit Osum, dhe, më në fund, përtej lumit, në anën jugore të kodrës së Goricës. Në fund të shekullit mund të numëroheshin 1019 shtëpi, me një total prej rreth 7000 – 8000 banorësh. Një zhvillim të madh mori artizanati, i cili dëshmohet nga lindja, bashkëpunimi dhe tregu i lulëzuar.
Gjatë invazionit otoman Berati mbetet një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Në fillim u bë kryeqendra e provincës, në shekullin XVIII, qendër e dominimit të Pashallëkut të Beratit, i cili më vonë i bashkohet Pashallëkut të Janinës. Dominimi i Pashallëkut të Beratit u bë shumë i rëndësishëm nën Ahmet Kurt Pashain.
Deri në fillim të shekullit të XX qyteti kishte një infrastrukturë të mirë. Ishte, në fakt, një nyje lidhëse drejt Lindjes, për Kostandinopojën, por edhe drejt Jugut, për Janinën, e prej andej, për gjithë Greqinë.
Edhe Deti Adriatik u përdor si rrugë komunikimi e lejonte hapjen e rrugëve që lidhnin Beratin me qytetet e tjera; më e njohura ishte «Rruga e detit», e cila të çonte në Vlorë, dhe ajo në drejtim të Veriut, që bashkohej me lumin Shkumbin me rrugën Egnatia dhe përfundonte në Durrës.
Ka hipoteza se emri Berat rrjedh nga një variant shqiptar i quajtur Belgrad, por ekziston edhe një tjetër supozim sipastë cilin emri shpjegohet nëpërmjet një dekreti (Berat), i cili në turqisht do të thotë imunitet, privilegj. Ky dekret i sulltanit Mehmet II Fatihu, nuk e trajtonte Beratin me autoritet dhe i lejonte qytetarët të qëndronin, i njihte qytetarëve lirinë për të punuar, si dhe të drejtën për të mbajtur kostumet dhe zakonet e tyre. / konica/ KultPlus.com