24 Nëntor, 2017 - 1:09 pm
Në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, veprimtaria e tij është e shtrirë në një ekspozitë e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Provinca Françeskane Shqiptare organizuan këtë ekspozitë me dorëshkrime dhe gjëra personale të Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare kishin zënë vend dorëshkrimet e tij të shkruara në mënyrë klasike përmes lapsit , brenda kësaj ekspozitë gjendej edhe Bibla e tij personale dhe disa nga dorëshkrimet e veprës “Rrno për më tregue”. Po ashtu në mes të kësaj ekspozite ndodheshin tre shkopinjtë e Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës, dhe shumë pranë tyre maska mortore e At’ Gjergj Fishtës.
Akademiku Sabri Hamiti, e quajti Pllumin si një misionar të humanizmit, dhe jo vetëm i besimit dhe i kulturës.
“Ky takim dhe takimet e tjera dëshmojnë se mirënjohja jonë për Zefin, ekziston andaj dhe mirënjohja jonë për Zefin sot është ta lexojmë veprën e tij. Botimet françeskane kanë bërë një punë mirënjohjes sepse i kanë botuar librat e tij, bile në një libër kanë botuar edhe një dorëshkrim të tij”, ka thënë Hamiti në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite.
Prirësi katolik në Kosovë, Don Lush Gjergji tha se e gjithë veprimtaria e Zefit përmblidhet në dy shtylla të besimit të krishterë, që janë e vërteta dhe dashuria që aftësojnë dhe dhurojnë vlerën më të madhe për falje dhe pajtim.
“At’ Zef Pllumbi është një histori e gjallë dhe tronditëse e tmerrit dhe ferrit shqiptar që pa dorëza dëshmoi dhe tregoi ideologjinë komuniste dhe ateiste. Kjo histori dhe dëshmi ka edhe një anë tjetër ku vjen edhe vuajtja, qëndresa, pafajësia, shpresa, duresa stoicizmi i besimit të krishterë deri të ngadhënjimi, paqja, liria demokracia që përmblidhen në kryeveprën e tij që përmblidhen në veprën “Rrrno për me tregue”.
Kjo ishte ekspozita e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe do të vazhdoj të qëndroj e hapur përgjatë 1 jave./ KultPlus.com