Hapet ekspozita e finalistëve “Artistët e së nesërmes”, pas një muaji përzgjedhet fituesi

6 Nëntor, 2018 - 10:55 am

Gili Hoxhaj

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë mbrëmë hapi ekspozitën e çmimit Artistët e së nesërmes për vitin 2018.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Punët e Qëndresë Deda, Altin Krasniqi dhe Dion Zeqiri erdhën mbrëmë të shtrira në Klubin e Boksit ndërsa si të tilla mbulojnë një rrafsh të gjerë të praktikës artistike aktuale në Kosovë, duke përfshirë, pikturën, tekstin, instalacionin, grafikën dhe fotografinë. Punët ndajnë një interesim të përbashkët për marrëdhëniet mes kontekstit lokal dhe jetës bashkëkohore si dhe gjetjen e trajektores personale të procesimit të materialit dhe ambientit psikologjik të qyteteve kosovare. Një intimitet gjendet në shumë prej punëve, ndërsa implikimet janë shpesh shoqërore dhe politike.

Qëndresë Deda është artiste që punon përmes disiplinave të ndryshme, zakonisht duke vënë vetën në rol të objektit dhe subjektit, ndërsa mbrëmë punën e saj e kishte përfshirë në mediume të ndryshme, duke nxjerrë në pah ngjashmëritë dhe kontrastet e tyre. Kur shfrytëzon fotografinë, ajo e trajton kamerën si pasqyrë. Edhe pse puna e saj duket të jetë personale dhe intime, ajo merret me fenomenet e rrethanave të menjëhershme.

Për KultPlus, ajo tha se në këtë ekspozitë prezanton një video ku ngrit pyetje e mesazhe të shumta ndërsa pjesa tjetër thotë se është skulpturë. Ajo ka paraqitur objekte që janë përdorur edhe në video e të cilat lidhen me historinë.

“Projekti ka ndryshuar që nga fillimi deri tash, fillimisht ka qenë propozimi për të paraqitur diçka më ndryshe por jam bazuar edhe në disa shkrime që kanë qenë të prezantuara edhe para dy viteve në ekspozitë, një prej tyre është “Story of the stones”. Po ashtu më ka interesuar edhe mënyra se si materialet funksionojnë me njëra- tjetrën, siç është guri më natyral dhe më i pagdhendur dhe xhami apo kubi. Kam provuar ta trajtojë njëjtë sikur gurin që është më i çmueshëm e po ashtu edhe gurin natyral”, tregoi Deda duke vazhduar të thotë se do donte që puna e saj të jetë më përjetuese dhe që çdokush që e sheh ekspozitën t’u përgjigjet pyetjeve që janë paraqitur në video duke i lidhur objektet me historitë personale.

Njëri nga finalistët e tjerë, puna e të cilit ka zënë vend në ekspozitë është Dion Zeqiri. Praktika e Dion Zeqirit është pikënisje e përvojës së tij personale. Ai ka punuar për të fuqizuar subjektet që përfshijnë emocione aktuale apo kushte fizike, duke hapur interpretime të reja rreth rrethanave dhe dukurive.

Puna për ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 trajton transformimin e hapësirës urbane si rezultat i ndërtimit të keq si dhe shumë faktorë të tjerë. Këto situata bëjnë që objekti, hapësira, shenjat e trafikut, dhe gjëra të tjera të mos shfrytëzohen për destinimin e tyre themelor.

“Deterritorializimi” dhe zhvendosja e tyre në kushte të tjera, tregon interpretime të ndryshme. Zeqiri tha se “Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë” e ka një përmbajtje më të bujshme që duhet të kesh disa kritere që të mund të ekspozohesh brenda saj, kështu që ai thotë se ndihet shumë mirë që ka arritur të jetë pjesë e finalistëve të kësaj gare.

“Koncepti e trajton një problematikë të hapësirave të qytetit ku kryesisht janë disa hapësira që janë projektuar dhe destinuar për një funksion të caktuar dhe më pas e kanë ndryshuar funksionin. Kryesisht ka raste kur parkingjet para shkollave apo në disa lagje të Prishtinës janë shfrytëzuar edhe si parqe për fëmijët dhe kjo është një mënyrë se si është rifunksionalizu hapësira. Unë i kam marr ato objekte dhe i kam konservuar me ç’rast e kam bërë një lloj arkeologjie të qytetit, për të treguar se si këto hapësira nuk funksionojnë për qëllimin që e kanë pasur”, tregoi Zeqiri për KultPlus.

Në ekspozitën e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, është pjesë edhe artisti Altin Krasniqi.
Ai sjellë “Dyqani i pavarur tregtar” që shpërfaq raportet shoqërore, si dhe mjedisin shoqëror, ekonomik, politik e kulturor. Kjo praktikë ndonëse rrënjët i ka tek përvoja personale, shpërfaq gjithashtu edhe ndikimin kolektiv dhe raportet shoqërore në përgjithësi. Përtej një dyqani të vogël tregtar, kjo punë nuk kufizohet vetëm në hapësirat gravituese përreth dyqanit, por priret të i tejkalojë këto hapësira dhe të shfaqë aspekte të përgjithshme të karakterit shoqëror. Kjo punë shfaq pasojat dhe peripetitë në të cilat kalon një shoqëri tranzicionale. Këto pasoja janë më të ndjeshme në aspektin ekonomik. Këto dyqane, sipas artistit, paraqesin ndikimin kapitalist në shoqëri. Ai tha se për të pjesëmarrja në Çmimin “Artistët e së nesërmes” është përvojë shumë e re dhe goxha sfiduese.

“Ky është dyqani i babait tim që ka funksionuar si dyqan prej vitit 2000 deri në vitin 2013. Më pas unë kam filluar të futem brenda dyqanit dhe kur e kam shfletuar fletoren më ka tërhequr drejt hulumtimit ku tregon diçka të re si për mënyrën e ndërrimit të valutës dhe respektit që ka qenë mes nesh. Këto fletore më kanë kthyer shumë mbrapa. Ato tregojnë emrat e disa personave me ç’rast më ka intriguar shumë edhe ajo afërsia mes njerëzve”, u shpreh Krasniqi për KultPlus.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 këtë vit përbëhet nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Jelena Vesić, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Amanda Parmer, drejtore e programit e Independent Curators International (ICI), Nju Jork, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpallet më 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2018.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York./ KultPlus.com

Të ngjajshme