30 Gusht, 2020 - 11:56 am
Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990, shkruan KultPlus.
Pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.
Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. ”Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.
Kjo ekspozitë i parapriu inaugurimit të bustit të senatorit i cili do të bëhen në rrugën ‘Bob Dole’, sot në Lagjen Dardani, duke filluar nga ora 13:30.
Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës. / KultPlus.com