Hapet ekspozita ‘Homazh’, fotografi Spahija: Kjo ekspozitë vjen si falënderim për kontributin e 17 personaliteteve të artit dhe kulturës

16 Shkurt, 2025 - 10:35 pm

Flonja Haxhaj

Në kuadër të festivalit të poezisë ‘Republika’, fotografi Fahredin Spahija ka hapur ekspozitën e tij personale të titulluar “Homazh”. Kjo ekspozitë u mbajt në ambientet e Shtëpisë së Evropës në Prishtinë dhe iu dedikua 17 personaliteteve të shquara, të cilët edhe pse nuk jetojnë më, lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Përmes fotografisë, Spahija ka sjellë një reflektim të thellë mbi trashëgiminë artistike dhe kulturore të këtyre personaliteteve, duke ofruar një nderim të veçantë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.

Publiku, i cili i kishte zënë çdo cep të kësaj galerie, patën mundësinë të përjetojnë një përmbledhje vizuale të jetës dhe veprës së figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare si një homazh për veprimtarinë e tyre.

Në mesin e personaliteteve të përfshira në këtë ekspozitë ishin figura të shquara si kompozitori dhe instrumentalisti popullor Shaqir Hoti, shkrimtari dhe poeti Musa Ramadani, piktorët Omer Kaleshi, Sali Shijaku, Nusret SalihaMixhiqi, Ymer Shaqiri dhe Ibrahim Kodra, si dhe fotografi dhe historiani i fotografisë Piro Naçe. Po ashtu, u përkujtuan edhe këngëtarja dhe gazetarja Violeta Rexhepagiqi, aktori i teatrit dhe filmit Mirush Kabashi, regjisori, aktori dhe këngëtari Muharrem Qena, aktori Rikard Ljarja dhe etnomuzikologu, kompozitori dhe shkrimtari, Ramadan Sokoli.

Me rastin e hapjes së ekspozitës ‘Homazh’, për KultPlus foli vetë fotografi Fahredin Spahija, i cili u shpreh se kjo ekspozitë vjen më shumë si një falënderim për veprimtarinë e këtyre figurave të rëndësishme të artit shqiptar.

“Ekspozita është pjesë e festivalit ‘Republika’. Me organizatoren e festivalit, Vlora Ademi, u pajtuam që të hapim një ekspozitë si pjesë e këtij festivali. Më pas, u dakorduam edhe për numrin e fotografive dhe vendosëm të jetë pikërisht 17 sepse lidhet me 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe numrin 17 si datë e kësaj feste. Këtë ekspozitë doja ta realizoja edhe si një falënderim për kontributin e tyre”, u shpreh Spahija.

Edhe pse numrin i personaliteteve që i ka Spahija në fototekën e tij, është i madh, ai shpjegon se ndonëse përzgjedhja ishte e vështirë, ai zgjodhi pikërisht ata që kishte lidhje më të veçantë me ta.

“Në këtë rast ne e kishim numrin e kufizuar të fotografive që do t’i ekspozonim, pra unë duhet të zgjidhja 17 prej tyre. E në një situatë të tillë, njeriu lufton me vetveten sa i përket përzgjedhjes dhe në fund fiton emocioni që të ka ofruar ai person”, përfundoi Spahija

I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe shkrimtari Primo Shllaku, i cili u shpreh se këto figura vijnë përpara syve të publikut si një përqendrim vlere që vetëm një ekspozitë mund t’i bëjë të gjithë bashkë.

“Ky album me fotografi personalitetesh të shkrepura prej fotografit të mirënjohur, Fahredin Spahija na vjen si një surprizë e re. Të gjithë pothuajse burra, të gjithë të moshuar, të gjithë në kapërcyell të të 70-tave, të gjithë artistë, të gjithë të kaluar në amshim. Së bashku me këto premisa, ata na kalojnë para syve në një intervistë ‘sloë-motion’ me ngarkesën e tyre të konsumimit jetësor, pothuajse gati si enë të zbrazëta, nëpër të cilat kanë kaluar, janë shtruar, janë konsumuar gjellë të çmueshme që tashti janë diku tjetër. Ndërsa tani ato, këto enë pra, qëndrojnë të fiksara brenda një solemniteti tashmë të shkrepura prej syrit të fotografit”, tha shkrimtari Shllaku./KultPlus.com

Të ngjajshme