28 Qershor, 2022 - 11:00 pm
”Jo gjithë dritëhijet e qelqit” titullohet ekspozita që Joana Dhiamandi ka çelur pak ditë më parë në pavionin e artit në Ministrinë e Kulturës. Me profesion arkitekte por me një pasion dhe lidhje shumë të ngushtë me artin Joana në këtë ekspozitë prezanton rreth 30 vepra arti të bëra prej qelqi në forma dhe përmasa të ndryshme.
“Pavarësisht se jam arkitekte unë e kam pasur gjithmonë pasion artin, pasi jam rritur në një familje artistësh. Im at është mjeshtër, dhe unë kam trashëguar traditën dhe zanatin e punimit të qelqit pasi në studio kemi furrën dhe aplikojmë disa teknika të punimit të këtij materiali që është aq i lashtë aq i bukur, aplikativ dhe funksional në shumë momente të përditshmërisë tonë”, thotë ajo.
Punët e saj janë të ndara në disa mini-seri, dalin dy linja të rëndësishme: pjatat rrethore dhe formatet abstrakte skulpturore.
”Cikli i pjatave, sepse pjatat kanë një gjendje më tepër emocionale, më tepër ëndërrore. Me tepër ngjyrat transmetojnë atë luhatjen emocionale shpirtërorë të njeriut. Duke filluar me riciklimin e shisheve të qelqit, punimi quhet “Eshtra të qelqta”, ku janë shishe qelqi të ricikluara, të shkrira për të dhënë atë ndjesinë e kufomës. Gjithashtu kemi riciklim por edhe ndryshimin e funksionit, ndërsa në seksionin tjetër kemi formën dhe kontrastin e materialeve” shpjegon ajo.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 korrik 2022./diasporashqiptare/ KultPlus.com