Hapet ekspozita kolektive “Prap do t’ia nisim prej diellit” në Pejë

20 Shkurt, 2025 - 11:59 am

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Galerinë e Arteve në Pejë u hap ekspozita kolektive “Prap do t’ia nisim prej diellit”, e kuruar nga Fatmir Juka, drejtor i Galerisë së Arteve Shkodër. Ky aktivitet shënon një bashkëpunim të rëndësishëm mes artistëve nga Shkodra dhe Peja, duke sjellë një dialog të gjallë mes dy qyteteve me traditë të pasur kulturore.

Titulli i ekspozitës vjen nga një varg i poetit të madh Azem Shkreli, një prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqipe, i cili me vargjet e tij ka frymëzuar breza të tërë krijuesish. Përmes pikturës dhe skulpturës, artistët sjellin një reflektim mbi dritën, historinë dhe shpirtin krijues që i lidh këto dy vende.

Në ekspozitë marrin pjesë Artan Draçini, Andi Hila, Arben Suma, Denisa Brahimi, Fatmir Juka, Petrit Bilali, Senad Xhexhovi, Sidrit Lohja dhe Rozafa Shpuza.

Hapja e ekspozitës u shoqërua me një pjesëmarrje të madhe të artdashësve, krijuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore nga Kosova dhe Shqipëria. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë dhe fton publikun të zbulojë këtë mozaik artistik që flet për dritën, shpirtin dhe fuqinë e ripërtëritjes.

Galeria e Arteve Pejë mirëpret të gjithë vizitorët për të përjetuar këtë ngjarje të veçantë artistike./ KultPlus.com

Të ngjajshme